Shteti i Kosovës ka marrë goditjen e parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas situatës së tensionuar në Veri të vendit.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023”, është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, që ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në Veri.
“Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës”, tha Hovenier. “Për Kosovën këto stërvitje kanë përfunduar”, shtoi ai.
Lidhur me këtë anulim, për Shqip.com ka folur Ibrahim Shala, drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës.
“Është fatkeqësi që është anuluar vazhdimi i ushtrimit ndërkombëtar ‘’Defender ‘23’’ në Kosovë si njëri nga vendet pritëse, e sidomos për faktin që ky ushtrim si qëllim primar ka mbrojtjen e Evropës nga invazionet që do shkaktonin destabilitet”, ka thënë Shala për Shqip.com.
Tutje, ai ka thënë se, tensionet në veri, dhuna e përdorur nga grupet kriminale serbe ndaj pjesëtarëve të KFOR-it të cilët ruajnë qetësinë ka pikërisht këtë synim, destabilitetin, andaj urojmë që vendi t’i kthehet normalitetit përmes shtrirjes së rendit dhe ligjit.