Ministria e Mjedisit thotë se dështimi i KEK-ut solli krizën energjetike

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor u është përgjigjur paralajmërimeve të drejtorit të KEK-ut se brenda pak kohe vendi mund të futet në krizë të thellë energjetike. MMPH-ja thotë se dështimi i KEK-ut për të arritur marrëveshje me banorët për zhvendosje e ka sjellë vendin deri te kriza e mundshme energjetike.

Ministria e Mjedisit thotë se dështimi i KEK-ut solli krizën energjetike

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ia hedh fajin Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për gjendjen energjetike në vend.

Sipas Ministrisë, KEK-u është dashur ta kryejë zhvendosjen gjatë vitit 2015 dhe 2016, por thotë se ka dështuar të arrijë marrëveshje me pronarët.

“KEK-sh.a është  dashur të kryejë zhvendosjen gjatë  vitit 2015 dhe 2016, mirëpo ka dështuar për të arritur marrëveshje me pronarët, dhe sipas ‘Kornizës së Politikave për Zhvendosje’ (KPZH), kur dështon ky proces, kalohet në procedurën e shpronësimit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë dhënë Insajderit.

“Planin e Veprimit për Zhvendosje KEK e ka dorëzuar  në MMPH më datë 25.05.2017, dhe MMPH menjëherë më datë 02.06.2017 e ka aprovuar. Mirëpo, edhe pas aprovimit, KEK nuk ka arritur të nënshkruajë marrëveshjet me pronarët ashtu siç parashihet me KPZH”, thuhet më tej aty.

Pas dështimit të këtij procesi, sipas Ministrisë, KEK-u më datë 14.07.2017 ia ka paraqitur pranë MMPH-së “Kërkesën për shpronësim” të  pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të  cilat preken nga realizimi i Projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja e KEK-ut, në Zonën Kadastrale: Hade dhe Shipitullë, të komunës së Obiliqit.

Më tej Ministria e Mjedisit thotë se tri ditë më vonë ka dorëzuar në Qeveri Propozimin për shpronësim. Qeveria e Kosovës më datë 21.07.2017 ka nxjerrë Vendimin Nr.05/150 me të cilin aprovon  shqyrtimin e mëtejmë të  kërkesës për shpronësim.

“MMPH ka publikuar Vendimin në Gazetë Zyrtare dhe Ditore, ka bërë shpërndarjen e vendimit dhe njoftimit të banorët dhe institucionet tjera dhe ka caktuar Dëgjimin Publik për datën 10 gusht 2017 konform Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme”, thuhet në përgjigjen dhënë Insajderit.

“MMPH sipas  dy dokumenteve ka kryer dhe është duke kryer brenda afateve ligjore të gjitha veprimet që rrjedhin nga ligji’, thuhet më tej aty.

Ministria thotë se “mbajtjen e Dëgjimit Publik e përcakton Ligji i Shpronësimit neni 9, sepse KEK tani ka bërë Kërkesë për shpronësim pasi që ka dështuar të arrijë marrëveshje me pronarët sipas Korniza e Politikave për Zhvendosje KPZH-se.”

MMPH-ja thotë se shpronësimet në Republikën e Kosovës bëhen përmes dy dokumenteve ligjore:  Ligji Nr. 03/L-139 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme me ndryshimet dhe plotësimet e bëra me Ligjin nr. 03/L-205; dhe Dokumenti “Korniza e Politikave për Zhvendosje (KPZh) për zonën Fusha e Mihjes së Re të Republikës së Kosovës” e miratuar me Vendimin e Qeverisë së Kosovës nr. 10/22 date 06.07.2011.

Në bazë të kësaj, Ministria thotë se në zonën ‘Fusha e Mihjes së Re’ ku bënë pjesë edhe fshati Shipitullë dhe Hade, procedurat e marrjes së tokave kanë filluar sipas dokumentit të KPZh-së.

“Departamenti i Shpronësimit ka shqyrtuar kërkesën dhe konform  Dokumentit “Korniza e Politikave për Zhvendosje (KPZh) për zonën Fusha e Mihjes së Re të Republikës së Kosovës” e miratuar me Vendimin e Qeverisë së Kosovës nr. 10/22 date 06.07.2011, dhe i ka propozua Ministrit të MMPH-së te nxjerrë Vendimin Nr.65/14 datë 27.08.2014”, thuhet në përgjigjen e MMPH-së dhënë Gazetës Insajderi.

Në vendimin e Ministrisë së Mjedisit të 27.08.2017, është “miratuar kërkesa e Korporatës Energjetike të Kosovës për fillimin e procedurave të zhvendosjes me kompensim për banorët e fshatit Shipitullë Zona Kadastrale Hade dhe Shipitullë, përkatësisht lagjet Bërbatovci, Krasniqi dhe Mirena, të fshatit Shipitullë-KK Obiliq”.

Gjithashtu, përmes atij vendimi, “obligohej Korporata Energjetike e Kosovës të hartojë Planin e Veprimit për Zhvendosje (PVZh), konform Dokumentit ‘Korniza e Politikave për Zhvendosje (KPZh) për zonën Fusha e Mihjes së Re të Republikës së Kosovës’ e miratuar me Vendimin e Qeverisë së Kosovës nr. 10/22 date 06.07.2011.”

Për më tepër, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, ditë më parë ka paralajmëruar se kjo Korporatë mund të prodhojë rrymë vetëm edhe për dy javë.

Sipas tij, problemi është të pamundësia e shfrytëzimit të resurseve të thëngjillit që gjenden në fshatrat Shipitullë dhe Hade, për shkak të ndërtimit të shtëpive pa leje.

Bordi i KEK-ut në mbledhjen e mbajtur dje ka dhënë tri opsione se si të tejkalohet kriza energjetike.

Një nga tri propozimet e Bordit të KEK-ut për dalje nga kriza që mund të çojë vendin në kolaps energjetik, përfshihet edhe një ndërhyrje emergjente. Por kjo ka zemëruar banorët e fshatit Shipitullë, pronarët e tokave që ende nuk janë shpronësuar.

Opsioni i dytë, sipas Bordit, është parandalimi i ndonjë katastrofe për ndonjë zonë aty.

“Të ndërmerren veprime që parashohin parandalimin e ndonjë katastrofe për ndonjë zonë ose banor. (kjo është e paraparë edhe me ligjet në fuqi, ligji mbi emergjenca që lejon veprim preventiv të agjencionit për menaxhimin e emergjencave)”, thuhet të jetë propozuar si opsion i dytë.

E këtë opsion përfaqësuesi i banorëve të Shpitullës, Naim Krasniqi po e sheh si kërcënim se KEK po planifikon t’i largojë banorët edhe me dhunë.

“KEK thjesht nuk po dëshiron që të gjejë ndonjë zgjidhje. Nuk mundesh një fshat të tërë me e largu me dhunë. Nuk ka polici që na largon nga këtu pa i plotësuar kërkesat tona”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari i Sindikatës së Energjetikës, Izet Mustafa, ka thënë se problemet me energji elektrike mund t’i prekin edhe rreth 5 mijë punëtorët e kësaj Korporate, t cilët mund të mbesin pa punë.

“Presim që institucionet e Kosovës të angazhohen seriozisht dhe të kontribuojnë në përmirësim të kësaj situate, përndryshe do të krijohen probleme edhe me rreth 5 mijë punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës, të cilët rrezikojnë të mbesin pa punë”, ka thënë ai./Insajderi.com

 

KOLEGJI UNIVERSUM, I VETMI PA ASNJE PROGRAM TË SUSPENDUAR NGA AKREDITIMI