Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në kuadër të projekteve kapitale edhe për vitin ardhshëm, nuk pritet të ketë investime të reja mirëpo vazhdimësi të investimeve nga viti paraprak, njofton Insajderi.
Në draft-buxhetin për vitin 2021 thuhet se MPJD shpenzimet deri në fund të 2020-ës, për vetura për administratë do ta kenë vlerën e 170,360 euro ndërsa do të vazhdohet edhe për vitin që vjen me investim edhe 150,000 euro.
Tutje të dhënat në draft-buxhet thonë se do të vazhdohet të investohet edhe në vetura për ambasadat e Kosovës. Shpenzimet deri me 2020, sipas këtij projektligji, janë në vlerën e mbi 2.4 milionë euro ndërsa si vazhdimësi nga 2020-ta, në vitin e ardhshëm pritet të shpenzohen edhe 300,000 euro, thuhet nw burimet e Kallxo.com.
Gjithnjë sipas Projektligjit për buxhetin e Kosovës për vitin 2021, i cili është ende draft, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, shpenzimet e përgjithshme për investimet kapitale deri në fund të këtij viti do të ketë mbi 7.2 milionë euro ndërsa nga 2020-ta do të vazhdohen projektet në vlerën e mbi 3 milionë euro ndërsa nuk ka të evidentuara në këtë projektligj ndonjë projekt të ri kapital për vitin 2021.
Me datën 30 të muajit të kaluar, Qeveria e Kosovës, në krye kryeministrin Avdullah Hoti ka miratuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021.Në mbledhjen e Qeverisë, shefja e kuletës së shtetit, Hykmete Bajrami kishte deklaruar se shpenzimet buxhetore do të jenë rreth 2.4 miliardë euro.
“Ekonomia për vitin 2021 pritet të rritet me 5.1%. Gjatë 2021 pritet një dinamikë më e shpejtë e investimeve publike. Gjatë vitit duhet të rifinancojmë 162 milionë për borxhin aktual. Shpenzimet buxhetore janë planifikuar të jenë rreth 2 milardë e 400 mijë euro. Shpenzimet për paga pritet te jenë 625 milionë euro”, citohet të ketë thënë ministrja Bajrami./Insajderi.com