Ministria e Shëndetësisë ende nuk i ka pajisur me rroba shëndetësore mjekët e Vitisë

Ministria e Shëndetësisë ende nuk i ka pajisur me rroba shëndetësore mjekët e Vitisë

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë ende nuk i ka pajisur me rroba shëndetësore, sipas kërkesës së komunës, personelin shëndetësor të QKMF-së në Viti.

Haliti, në një bisedë telefonike me Insajderin, ka thënë të enjten se pavarësisht premtimit të ministrit Arben Vitia, pajisjet ende mungojnë.

“Nuk kanë sjell ende pajisje për personelin shëndetësor. Dje pasdite ministri më tha që do t’i sjell, por nuk kanë sjell asgjë”, ka thënë Haliti.

Ai ka deklaruar se gjendja në Komunën e Vitisë, e cila ndodhet në karantinë tash e pesë ditë.

“Gjendja e qetë është. Nuk ka pasur raste të konfirmuara në 24 orët e fundit. Jemi në kontakt me familjen dhe me Këshillin e fshatit atje. Dy personat e liruar nga QKUK-ja kanë ardhur dhe e kanë relaksuar pak gjendjen në fshat – nga ana psikologjike e kam fjalën”, ka thënë Haliti.

Haliti është shprehur se është i brengosur për çështjen e miellit, shkaku i kolonave të automjeteve që presin para fabrikës së miellit në Viti.

“Çfarë po më brengos pak, është çështja e miellit. Miell ka, por rendi tek prodhuesit e miellit ka qenë sot deri në 2 kilometra”, ka thënë ai.