Ministria e Shëndetësisë jep detaje rreth 102 personave nga Serbia që u ndalën sot në Merdare

Ministria e Shëndetësisë jep detaje rreth 102 personave nga Serbia që u ndalën sot në Merdare

Një ekip prej 102 personash nga Serbia kanë hyrë sot në Kosovë të cilët destinacion të fundit patën Komunën e Graçanicës.

Këta persona janë ekip mjekësorë, të cilët kanë ardhur me kërkesë të kryetarit të Komunës së Graçanicës Srgjan Popoviq, shkruan Gazeta Insajderi.

Por me të arritur në kufirin e Merdares, ata janë ndaluar nga Policia e Kosovës, pasi që, Ministria e Punëve të Brendshme, ka kërkuar që 82 prej tyre mos të hyjnë pa u verifikuar nga Ministria e Shëndetësisë, që janë personel mjekësorë.  Vetëm 10 prej tyre figuronin në listën e mjekëve. Kjo u bë e ditur përmes një emaili që siguroi Gazeta Insajderi, që MPB ia dërgoi Policisë së Kosovës.

Por, në një përgjigje për Gazetën Insajderi, Ministria e Shëndetësisë, ka thënë se ata i kanë të dhënat e këtij ekipi, që sipas tyre, edhe ata u janë nënshtruar kontrolleve të autoriteteve kosovare sikurse çdo i huaj tjetër.

“MSh ka të dhënat e të gjithëve që janë pjesë e këtij ekipi, i cili, gjatë hyrjes në Kosovë iu ka nënshtruar kontrolleve të autoriteteve kosovare sikurse çdo i huaj tjetër”, thonë nga MSh.

Ministria e Shëndetësisë, ka treguar se ky ekip mjekësorë i përbërë nga mjekë, infermierë dhe teknik, kanë ardhur me kërkesë të kryetarit të Graçanicës, Srgjan Popoviq, me qëllim që të ndihmojnë qytetarët e kësaj komune rreth Covid-19.

Kësisoj, MSH ka hedhur poshtë dyshimet e emailit të MPB-së se ky ekip mund të mos jenë ekip mjekësorë.

“Meqë qëllimi i vizitës është për qëllime humanitare-shëndetësore, MSh ka miratuar kërkesën dhe, do të veprojmë me procedura të shpejtuara për të lejuar secilin ekip mjekësor nga cilido vend që për qëllim ka kontributin që të ndihmohen qytetarët për t’u ballafaquar me Covid-19”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë, për Insajderin.

Ata po ashtu kanë thënë se ekipe mjekësh të vendeve të huaja vijnë ne Kosovë gjatë tërë vitit, prandaj, sipas tyre, interpretimi i këtyre vizitave përtej rrafshit shëndetësor e human, është i panevojshëm.

Ekipe mjekësh të vendeve të huaja vijnë në Kosovë gjatë tërë vitit, prandaj, interpretimi i këtyre vizitave përtej rrafshit shëndetësor e human, është i panevojshëm”, përfundon përgjigja e MSh-së./ Insajderi.com

Lexo edhe:

Ekskluzive – 102 persona nga Serbia po tentojnë të hyjnë në Kosovë – Vetëm 10 janë mjekë