Ministria e Shëndetësisë jep detajet për vdekjen e 44-vjeçarit nga Koronavirusi

Ministria e Shëndetësisë jep detajet për vdekjen e 44-vjeçarit nga Koronavirusi

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka dhënë detaje rreth viktimës së 21’të nga Covid-19 e cila u shënua mëngjesin e sotëm në Kosovë.

Sipas MSH’së, bëhet fjalë për një person të moshës 44-vjeçare nga qyteti i Gjilanit.

I njëjti ishte pranuar në Infektiven e QKUK’së më 17 prill në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas mjekëve, ai kishte pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese ndërsa ky është pacienti i 21 i cili ka vdekur nga koronavirusi

Ndërkohë aktualisht në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 60 pacientë me koronavirus, pesë prej tyre janë me oksigjenoterapi.

Kosova aktualisht ka konfirmuar 731 raste me koronavirus, ndërsa 165 janë shëruar.

Ky është njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë:

Klinika Infektive ka njoftuar se sot me datë 26/04/ 2020 në orët e mesditës ka përfunduar me vdekje pacienti me inicialet M.I.(1976), nga komuna e Gjilanit.

Pacienti është spitalizuar në Klinikën Infektive me datën 17/04/2020, është konifrmuar me COVID-19, dhe është pranuar në gjendje shumë të rëndë.

I njëjti prej vitesh vuante edhe nga sëmundje të tjera.

Kjo është vdekje e 21-të në Kosovë prej koronavirusit Covid-19.