Ministria e Shëndetësisë me njoftim për vaksinimin kundër COVID-19

Ministria e Shëndetësisë me njoftim për vaksinimin kundër COVID-19

Në Kosovë nga kjo javë ka filluar vaksinimi i qytetarëve në masë me vaksinën kundër Coronavirusit. Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje sërish qytetarëve që në qendrat e vaksinimit të paraqiten vetëm pasi të kenë marrë thirrjen apo njoftimin për vaksinim, sipas termineve të përcaktuara përmes platformës eKosova.

Bazuar në Planin e Veprimit për vaksinimin e qytetarëve në masë me vaksinën kundër COVID-19 dhe në Planin Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19 (faza II) , vaksinimi po vazhdon me kategorinë e personave të moshës mbi 65 vjeçare, personat më sëmundje kronike, profesionistët shëndetësor dhe kategoritë e tjera të parapara në fazën e dytë të vaksnimit, përfshirë forcat e sigurisë, të ndërlidhura me menaxhimin e COVID-19 si dhe mësimdhënësit.

Ministria tërheq vëmendjen se cilado kategori e qytetarëve që merr thirrjen për vaksinim, me rastin e paraqitjes në qendrën e vaksinimit në komunën e tij, të ketë me vete dëshmi për kategorinë të cilës i përket:

  • Personat mbi moshën 65 vjeçare, duhet ta dëshmojnë këtë përmes letërnjoftimit ose ndonjë dokumenti valid;
  • Të sëmurët kronikë – përmes dëshmive shëndetësore;
  • Forcat e sigurisë – përmes kartës që i identifikon se i përkasin shërbimit përkatës (Policisë së Kosovës apo Forcës së Sigurisë së Kosovës);
  • Personeli shëndetësor dhe mësimdhënësit-përmes kartës (ID) të punës ose dokumenti tjetër që konfirmon se punojnë në këta dy sektorë.

Nëse të njëjtit nuk i paraqesin këto dokumente/dëshmi në qendrat e vaksinimit, nuk do të vaksinohen, njofton MSH-ja./Insajderi.com