Ministria e udhëhequr nga Avdullah Hoti avancon vëllanë e Sokol Havollit

Ministria e udhëhequr nga Avdullah Hoti avancon vëllanë e Sokol Havollit

Disa ditë pas humbjes së zgjedhjeve, Qeveria në detyrë, e udhëhequr nga LDK, ka avancuar në pozitë Berat Havollin, vëllanë e Sokol Havollit, këshilltarit politik të kryeministrit Isa Mustafa. Berat Havolli është avancuar nga pozita e shërbyesit civil, në udhëheqës të një divizioni në Ministrinë e Financave.

Përmes një njoftimi të Ministrisë së Financave, që udhëhiqet nga kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit LDK-AKR, Avdullah Hoti, është bërë i ditur avancimi në detyrë i Berat Havollit.

Sipas njoftimit, Berat Havolli, vëllai i këshilltarit të kryeministrit të Kosovës, është avancuar nga detyra e shërbysit civil në Ministri të Financave tek pozita e udhëheqësit të “Divizionit të politikave ekonomike në Departamentin e politikave ekonomike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”.

Avancimi i Havollit nga detyra e shërbyesit civil në detyrën e udhëheqësit të një divizioni brenda Ministrisë së Financave, ka ndodhur më 14 qershor të këtij viti, raporton Insajderi.

“Në bazë të Nenit 41, paragrafi 2 të Rregullores 02/2010 Për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil të Kosovës, Ministria e Financave bën njoftimin për kandidatin e suksesshëm të rekomanduar nga Komisioni Përzgjedhës i Shërbimit Civil të Ministrisë së Financave, pas përfundimit të procedurës së rekrutimit për konkursin e brendshëm (avancim) për pozitën: Udhëheqës i Divizionit të politikave ekonomike në Departamentin e politikave ekonomike dhe bashkëpunim ndërkombëtar financiar”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

I kontaktuar nga Gazeta Insajderi, Berat Havolli e konfirmoi avancimin e tij në këtë pozitë.

“Po [jam avancuar v.j]. Fillimisht më duhet të ju informoj se jam pjesë e Ministrisë së Financave prej tetë vitesh: Në kohën e Ahmet Shalës, Bedri Hamzës, Besim Beqajt dhe së fundmi Avdullah Hotit. Njësia ku unë bëjë pjesë, ka pasur disa lëvizje dhe në këtë drejtim diku para një viti e gjysmë, drejtoresha e njësisë paraprake, ka bërë lëvizje në një punë tjetër. Prej asaj kohe, si një nga anëtarët më të vjetër në zyrë… do të thotë, tash tetë vite, unë e kam ushtruar detyrën e atij pozicioni”, ka thënë Berat Havolli për Insajderin.

I avancuari në detyrë në Ministrinë e Financave, deklaroi se për përparimin e tij në këtë pozitë nuk kishte pasur asnjë ndikim nga vëllai i tij, Sokol Havolli.

“Nuk ka pasur kurrfarë benefiti nga Berati si njeri. Mua më është dashur të kujdesëm më shumë, që mos me u cenu integriteti im profesional, si rezultat i një avancimi politik që e ka pasur Sokoli në atë rast”, ka thënë Berat Havolli, i cili shprehu shqetësim që avancimi i tij në Ministrinë e Financave, të mos ndërlidhet më vëllanë e tij, Sokolin, këshilltar i kryeministrit Mustafa.

Berat Havolli thotë se ai u është nënshtruar procedurave të rregullta për avancimin në detyrë. Thotë se ka ambicie dhe është i kualifikuar mjaftueshëm për këtë post.

“Unë jam djalë me ambicie, kam punuar, kam studiuar dhe jam avancuar edhe kah pjesa akademike. Jam në përfundim të studimeve të doktoratës tash, dhe është e natyrshme që të kem ambicie. Unë e kam shprehur interesin tim për këtë lëvizje, tash unë i jam nënshtruar procedurave të rregullta, sikurse disa persona të tjerë”, ka thënë ai.

Sokol Havolli mohon të ketë pasur ndikim në avancimin e vëllait të tij 

Ndërkaq, vëllai i Beratit, Sokol Havolli, është shprehur se pozita e tij në Zyrën e Kryeministrit nuk ka pasur asnjë ndikim rreth avancimit të vëllait të tij.

“Asnjë ndikim. Zero”, thotë Havolli, i cili mohon ndikimin e tij për avancimin e vëllait të tij në pozitë, në ministrinë që udhëhiqet nga ministri në largim, Avdullah Hoti.

Këshilltari i Isa Mustafës deklaroi se nuk ka qenë i informuar për konkursin e brendshëm të hapur në Ministrinë e Financave. Havolli deklaroi se avancimi në detyrë i punonjësve të Ministrisë së Financave nuk ka të bëjë me të.

“Do të thotë unë nuk e kam ditur se ka pasur konkurs të brendshëm, e as që ka aplikuar. Është procedurë e Ministrisë Financave, dhe nuk ka të bëjë me mua në këtë drejtim”, ka thënë Sokol Havolli, në një prononcim për Insajderin.

Sokol Havolli është kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Zyrtarët për media në Ministrinë e Financave nuk kthejnë përgjigje

Ndërkaq, zyrtarë për komunikim nga Ministria e Financave nuk kanë dashur të komentojnë avancimin në detyrë të Berat Havollit. Kanë thënë se janë jashtë vendit, derisa kanë premtuar se do të kthejnë përgjigjet javën e ardhshme.

“Duheni me dërguar pyetje me email në zyrën për informim, mandej ju përgjigjemi. Jo [nuk mundemi me dhënë asnjë shpjegim tani]”, ka thënë Ardita Dushi, këshilltare për media në Ministrinë e Financave.

Po ashtu, Muharrem Shahini, zyrtar për komunikim me media në ministri ka dhënë arsyetim të njëjtë. Ka thënë se ndodhet jashtë vendit dhe nuk mundet të kthejë përgjigje. /Insajderi.com