Ministria ka shpresë, por jo datë për ardhjen e vaksinave në Kosovë

Ministria ka shpresë, por jo datë për ardhjen e vaksinave në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë ende nuk e di se kur do të fillojë shpërndarja e vaksinave anti-COVID’19 për Kosovën.

Përveç shpresës, datë nuk ka.

“Po pritet konfirmimi i ditës së arritjes së vaksinës, shpresojmë të jetë sa më parë”, kanë thënë për Gazetën Online Insajderi nga Ministria e Shëndetësisë, kur janë pyetur për vaksinat.

Ndonëse njëherë është premtuar se pas datës 15 të këtij muaji vendi do të furnizohet me vaksina, MSh po pret që këtë javë të informohet nga mekanizmi COVAX për datën e arritjes së dozave të para në Kosovë.

Ministria thotë se kur të vijnë vaksinat – kurdo që të vijnë – për fillim Kosovës do t’i jepen 100 mijë e 800 doza të prodhuesit ‘Astra Zeneca’.

Rreth 20 për qind e popullsisë apo 360 mijë njerëz do të vaksinohen falas nga dozat e kësaj kompanie.

Kurse më pas, po përmes COVAX, pritet që të merret edhe doza të prodhuesit ‘Pfizer’, por ndryshe nga ato të ‘Astra Zenecës’, këto doza do të blihen.

“Sa u përket vaksinave përmes rrugëve të tjera, javët e fundit ka pasur probleme rreth prodhimit të tyre dhe ato janë bërë të ditura nga kompanitë prodhuese, por megjithatë, Kosova do të marrë fillimisht dozat e para mbi 100 mijë nga prodhuesi ‘Astra Zeneca’ përmes COVAX, ndërsa më pas pritet që të marr edhe doza të prodhuesit ‘Pfizer’, kuptohet këto duke i blerë, derisa ato të ‘Astra Zeneca’ për 20% të popullsisë apo 360 mijë do të jenë falas”, thuhet në përgjigjen e Divizionit të Komunikimit me Publikun nga Ministria e Shëndetësisë.

“UNICEF ka bërë të ditur se këtyre ditëve shtetet përfituese nga COVAX do të marrin informata nga COVAX në lidhje me hapat e ardhshëm dhe kornizën kohore të alokimit të vaksinës. COVAX ndërkaq, ka bërë të ditur, sipas itinerarit të tyre të shpërndarjes, se Kosoves, për fillim do t’i jepen 100800 doza. MSh, pra po pret që këtë javë të informohet nga mekanizmi COVAX për datën e arritjes së dozave të para në Kosovë dhe fillimin e procesit të vaksinimit kundër COVID-19. Këtë e ka paralajmëruar ditë më parë edhe UNICEF”, thonë nga MSh për redaksinë.

Nga ky dikaster thonë se Kosova ka përgatitur dhe miratuar Planin shtetëror për vaksinim kundër COVID-19 në detaje, përfshirë edhe planin e shpërndarjes, “ka trajnuar personelin që merren me vaksinim, ka përforcuar kapacitetet e Zinxhirit të ftohtë të ruajtjes dhe ka në dispozicion ekipet e vaksinimit dhe logjistikën përcjellëse për krejt këtë proces”.

Të parët pritet të vaksinohen personeli shëndetësor, të moshuarit mbi 80 vjeç; personat e vendosur në shtëpitë e të moshuarve dhe punëtorët social, si dhe personat me sëmundje kronike.

Në takimin e djeshëm të Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me COVID-19, u tha se Ministria e Shëndetësisë gjatë javës së kaluar ka miratuar planin për vaksinimin e popullatës.

Kështu bëri të ditur zëdhënësi i MSh-së, Faik Hoti, i cili shtoi se “është dizajnuar një fushatë e re e informimit anti-Covid. Fushat fillon emetimi gjatë kësaj jave më qëllim të edukimit të publikut”.

“Në fund të javës që shkoi MSh-ja ka miratuar planin për vaksinimin e popullatës. Presim që këto ditë ta ndajmë datën e vaksinimit”, tha ai. /Insajderi.com