Auditori: Ministria për Kthim keqpërdori veturat zyrtare

Auditori: Ministria për Kthim keqpërdori veturat zyrtare

Ministria për Komunitete dhe Kthim ka shfrytëzuar jashtë limitit veturat zyrtare. Përveç kësaj, vozitja e veturës zyrtare ishte bërë edhe nga një person i cili nuk ishte punonjës i Ministrisë.

Ndër tjerash shuma e karburantit të paguar nga kjo ministri për këtë veturë ishte në vlerë mbi 2 mijë euro dhe nuk kishte evidenca për mënyrën e shfrytëzimit të saj, thuhet në të gjeturat e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditmit për vitin 2016, raporton Insajderi.

Përveç kësaj, vendim për shfrytëzimin e veturave zyrtare iu kishte lëshuar edhe pesë këshilltarëve politikë si dhe shefit të kabinetit të Ministrisë, të cilët nuk i kishin plotësuar fletëudhëtimet mbi shfrytëzimin e automjeteve.

Auditimi ka paraparë që rreziku për dhënien e shfrytëzimit 24 orë të veturës zyrtare personit jashtë Ministrisë përbën keqpërdorim të pasurisë publike.

“Shfrytëzimi i veturave nga stafi i cili nuk ka të drejtë përdorimi 24h, si dhe mos raportimi i tyre rrezikon përdorimin e veturave për qëllime jozyrtare”, thuhet në raportin e Auditimi.

Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar ministrit për Komuninete dhe Kthim që të marrë masat për ndalimin e përdorimit të veturës zyrtare, personit që nuk është punonjës i Ministrisë./Insajderi.com