Në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi ka raportuar për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2017.
Ai ka thënë raporti nuk tregon një gjendje të mirë “pavarësisht të gjitha përpjekjeve për përmirësim”.
Prezantimin e raportit të vitit 2017 e ka bërë kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit në këtë ministri, Ilir Morina.
Ai ka thënë se më shqetësuese për këtë ministri është sektori i ndotjes së ajrit.
“Nëse ndalemi për secilin sektor, sektori i ajrit është më shqetësuesi në sezon të dimrit, ku fillon të përkeqësohet në shtator deri në shkurt dhe kemi nxjerrë raport për vitin 2017. Ne kemi bërë monitorimin e 12 stacioneve në cilësinë e ajrit: 3 pika në Obiliq, një në Mitrovicë, Drenas Pejë dhe në Gjilan”, tha Morina.
Ai po ashtu ka thënë se pas Prishtinës, qyteti më i ndotur është Gjilani.
“Gjilani ka tejkalim shumë të madh mbi mesataren e lejuar, ku në vitin 2017 në dy stacione janë gjetur se 41 ditë ka pasur tejkalime gjatë periudhës dimërore”, tha Morina duke shtuar se me ligj lejohen 35 ditë.
Ai po ashtu shtoi se burimet kryesore të ndotjes llogariten të jenë termocentralet dhe veturat e vjetruara.
“Ndotësi më i madh llogaritet të jetë Termocentrali Kosova 1, veturat e vjetruara dhe karburantet jo cilësore. Po ashtu edhe thëngjilli, ku këto shpesh krijojnë smog”, tha Morina.
Morina shtoi se në prill të vitit 2019 do të publikohen shkaktarët kryesorë të verifikuar të ndotjes.
Kryetari i këtij Komisioni Parlamentar, Muharrem Nitaj, e pyeti ministrin Matoshi nëse do të marrë vendim të njëjtë për ndalimin e thëngjillit edhe për banesat kolektive.
Matoshi tha që do të shqyrtojnë mundësitë rreth kësaj çështjeje, por edhe do të rishikohet cilësia e peletit dhe cilësia e thëngjillit.
Disktutimi rreth raportit dhe dërgimin në Kuvend të Mjedisit për vitin 2017 u vendos të shtyhet për javën tjetër për shkak të seancës së sotme të jashtëzakonshme.