Ministria e Shëndetësisë: Grumbullimi vjen si pasojë se në sallën “1 Tetori” kanë ardhur të vaksinohen qytetarë edhe nga komunat tjera

Ministria e Shëndetësisë: Grumbullimi vjen si pasojë se në sallën “1 Tetori” kanë ardhur të vaksinohen qytetarë edhe nga komunat tjera

Ministria e Shëndetësisë,  ka reaguar pas tolllovisë së krijuar para Qendrës së Vaksinimit “1 Tetori”,  sipas tyre kjo ka ndodhur për shkak se janë paraqitur qytetarë të komunave të ndryshme për t’u vaksinuar në Prishtinë.

“Grumbullimet e krijuara sot para sallës “1 Tetori”, vjen si pasojë se aty kanë ardhur të vaksinohen qytetarë edhe nga komunat e tjera, përkundër njoftimeve të bëra ditëve të kaluara dhe dje se qytetarët do të vaksinohen në komunën e tyre” , ka njoftuar MSH-ja.

Kjo ministri, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i përcjellin njoftimet, që të iu shmangen grumbullimeve para qendrave të vaksinimit.

“Me që vaksinimi kundër COVID-19 është proces dinamik që do të vijojë deri në vaksinimin e të gjitha kategorive të parapara në Planin e vaksinimit, luten qytetarët që të përcjellin njoftimet e MSh-së dhe t’i shmangin grumbullimet para qendrave të vaksinimit përderisa mundësia e vaksinimit do të jetë e hapur çdo ditë në secilën komunë”, thuhet tutje në njoftim./Insajderi.com