Ministritë e fuzionuara mund të emërojnë deri në 15 këshilltarë

Ministritë e fuzionuara mund të emërojnë deri në 15 këshilltarë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të mërkurës ka miratuar shqyrtimin e Projekt-rregullores për ndryshimin e rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, transmeton Insajderi.com.

Me këtë rast, ministrave të cilët udhëheqin ministri të fuzionuara do t’u mundësohet të angazhojnë 10 këshilltarë të brendshëm dhe pesë të jashtëm.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se kjo po bëhet me qëllim të organizimit të punës së Qeverisë.

“Si rezultat i fuzionimit të ministrive është zgjeruar fushëveprimi dhe janë rritur përgjegjësitë e tyre dhe me qëllim të ngritjes së kapaciteteve sot shqyrtojmë projekt rregulloren për plotësimin dhe ndryshimin e rregullores me të cilën përcaktohen fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së kryeministrit dhe ministrive”, ka thënë ai.

“Qëllimi i hartimit të kësaj projekt rregullore është ndryshimi dhe plotësimi për fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së kryeministrit dhe ministrive ashtu që në rastet kur fusha e përgjegjësisë administrative e dy apo më shumë ministrive që janë fuzionuar, ministri mund të emërojë deri në 10 këshilltarë politikë, gjithashtu edhe në rastet kur dy apo ma shumë ministri janë fuzionuar mund të emërohen nga ministri 5 këshilltarë të jashtëm politikë”, shtoi më tej Kurti. /Insajderi.com