Ministrja bullgare zhvillon takim me Daçiqin për Kosovën jashtë Samitit të Sarajevës

Ministrja bullgare zhvillon takim me Daçiqin për Kosovën jashtë Samitit të Sarajevës

Ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva dhe homologu i saj, Ivica Daçiq kanë biseduar sot për Kosovën  në Samitin e Sarajevës, pas komenteve të kryeministrit bullgar, Boiko Borisov, shkruan Gazeta Insajderi.

Televizioni Kombëtar Bullgar, ka raportuar se ky takim në mes Zaharieva dhe Daçiq është zhvilluar jashtë samitit.

Ministrja bullgare, Zaharieva citohet t’i ketë thënë Daçiqit se emërimi i Josep Borrell, si shef i politikave të jashtme në Bashkimin Evropian, duhet t’i mbrojë politikat e BE-së, mbi Kosovën e jo t’i zbatojë ato të Spanjës.

“Fakti që 23 vendet të BE-së, ku njëra nga to është edhe Bullgaria e kanë njohur Kosovën, nuk mund të bllokojë marrëdhëniet dypalëshe të Bullgarisë dhe Serbisë dhe se Bullgaria gjithmonë e ka mbështetur Serbinë në integrimin e saj evropian”, ka thënë Zaharieva.

Mirëpo Daçiq është shprehur se ka qenë i çuditur rreth deklaratave të Borisovit lidhur me çështjen e Kosovës.

“Unë kam bashkëpunuar me Borisov për shumë vite, isha i befasuar nga interpretimet e fjalëve të tij në mediat tona. Këtë e sqaruam me ministrin Zaharieva. Ne duam marrëdhënie të mira me Bullgarinë, miqësore, aleate dhe strategjike, sepse është në interes të dy vendeve dhe të dy vendeve”, citohet të ketë thënë Daçiq.

Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov në Samitin e sotëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ka thënë se në qoftë se nuk mund të pajtohen rreth çështjeve të pazgjidhura, atëherë mbase palët duhet të zihen me njëra tjetrën, për t’i thënë gjërat hapur e më pas të synojnë një zgjidhje të problemeve.

“Ndoshta nuk është keq të zihemi, të thotë hapur kush çfarë ka për të thënë dhe pastaj e gjithë kjo të rezultojë me një marrëveshje”, ka thënë Borissov.

“Më duhet të them se ne si Bashkim Evropian nuk mund të arrijmë asgjë derisa nuk jemi unik, derisa ne nuk jemi bashkë me kolegët nga Ballkani Perëndimor. Isha në Poznan disa ditë më parë ndërsa Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut morën kryesimin e Procesit të Berlinit. Ne e dimë se ky është një proces që duhet të vazhdojë të kontribuojë në procesin e zgjerimit dhe ne duam ta lëmë këtë diskutim të hapur sepse e kuptojmë se sa e rëndësishme është kjo”, ka thënë Borisov.

Ai shtoi se në çdo takim me zyrtarët evropianë, që ka jashtëzakonisht shumë të tilla, thekson se gjërat duhet të përparojnë në aspektin e statusit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, është e nevojshme që Serbia dhe Kosova të ulen dhe përfundimisht të bien dakord për disa gjëra.

“Tani hapen disa tema, siç janë taksat doganore, të gjitha gjërat që thjesht shkatërrojnë integrimin tonë. Ajo që na duhet është zero taksa, ose të paktën të jemi të gjithë të barabartë në këtë drejtim”, tha Borisov duke dhënë një shembull të marrëdhënieve midis Bullgarisë dhe Turqisë, të cilat kanë probleme të shumta, por se vazhdimisht takohen dhe flasin rreth tyre. /Insajderi.com