Sabit Geci është i lirë të paktën deri më 16 prill. Këtë ia ka mundësua ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha. Vendimin e ka marrë për t’i mundësuar Gecit trajtim adekuat mjekësor.
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ia ka pezulluar vuajtjen e dënimit për tre muaj, të dënuarit për krime lufte, Sabit Geci.
Ndërprerjen e dënimit ajo e ka bërë me arsyetimin e trajtimit mjekësor adekuat të, Gecit. Vendimin e ka marrë më 16 shkurt të këtij viti.
Gecit i ishte ndërprerë vuajtja e dënimit edhe në tetor të vitit 2015 me të njëjtat arsyetime. Vendimin e kishte nxjerr zëvendësministri i Drejtësisë, Lirak Çelaj.
Në vendimin që ka siguruar Insajderi jepen shkurt arsyet e ndërprerjes së vuajtjes së dënimit.
“Lejohet pezullimi I ekzekutimit të dënimit me burgim, për të dënuarin Sabit Geci…, i dënuar me aktgjykim PK. Nr 34/13 dt. 30. 10. 2013 të Gjykatës Themelore në Mitrovicë”, shkruan në vendim.
“Pezullimi sipas pikës 1 të këtij vendimi lejohet në kohëzgjatje prej 3 muajve, për shkak të ofrimit të trajtimit të nevojshëm mjekësor dhe pas kalimit të afatit prej tre muajve nga dita e nxjerrjes së këtij vendimi i dënuari obligohet të kthehet në ekzekutim të dënimit”, shkruan në vendimin e ministres. Hoxha.
Geci, obligohet që çdo muaj nëpërmjet raportit të nënshkruar nga komisioni përkatës prej tre mjekëve ta informojë Shërbimin Korrektues të Kosovës mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Në arsyetim, vendimi thuhet se është bazuar në rekomandimin e drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, në rekomandimin e komisionit të mjekëve, sipas të cilit konstatohet gjendja shëndetësore e të dënuarit Sabit Geci.
Vendimi rekomandon pezullimin e ekzekutimit të dënimit për arsye të trajtimit adekuat shëndetësor.
Geci, është i dënuar më 15 vjet për krime lufte kundër popullatës civile në dy kampe të UÇK-së, në Kukës dhe Cahan. Dënimin parashihet ta përfundojë më 5 maj të vitit 2025. Ai është në vuajtje të dënimit nga 6 maji 2010.
Gjykata e Qarkut në Mitrovicë, kishte shpallur fajtor Sabit Gecin për katër pika të aktakuzës për krime lufte kundër popullsisë civile si dhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Gjykata e kishte dënuar Sabit Gecin më 15 vjet burgim për katër pika të aktakuzës për krime të kryera në dy kampe të UÇK-së në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë, ndërsa e kishte liruar nga akuza për dy pika tjera që përfshinë edhe vrasjen e Anton Bisakut – një civil nga Prizreni. Riza Alijaj ishte dënuar më 12 vjet burgim për krime lufte në Cahan, Shaban Hoti me 7 vjet, ndërsa Haki Hajdari me 6 vjet heqje lirie.
Gjykata kishte gjetur prova të mjaftueshme që të mbajturit në kampe në Kukës dhe Cahan, janë rrahur e keqtrajtuar dhe nuk janë ushqyer mirë, nuk u është dhënë ujë dhe nuk ka pasur kushte higjienike për ta.
Trupi gjykues nuk kishte gjetur prova të mjaftueshme që e ngarkojnë Sabit Gecin për vrasjen e Anton Bisakut i cili siç thuhej në aktakuzë bashkë më të vëllanë, dëshmitarin ‘B’ ishin veshur me antiplumb dhe ishte shtënë në ta nga afërsia. Nga plagët e marra, Bisaku ka vdekur.
Një tjetër dëshmi koherente, për shpalljen e të pandehurve fajtorë ishte ajo e dëshmitarit Imer Imeri. Ai ishte anëtarë i LDK-së, dhe ka deklaruar se është rrahur nga Geci dhe Aliaj. Trupi gjykues nga dëshmitë e dëshmitarëve ka vërejtur se ndaj atyre që janë mbajtur në këto kampe është ushtruar dhunë sadiste.
Geci e Alija janë fajtor sepse “ishin përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në keqtrajtimin e personave që mbaheshin në këto kampe”, nga fundi i marsit ose fillimi i prillit e deri në qershor 1999. Dy të akuzuarit, burgosnin kosovarët të cilët largoheshin nga konflikti dhe dyshoheshin se bashkëpunonin me regjimin serb, ose “kishin pikëpamje të ndryshme politike me ato të UÇK-së. Gjykata ka vërtetuar se civilët rriheshin rregullisht me shkopinj gome dhe shkopinj, keqtrajtoheshin dhe abuzoheshin verbalisht. Geci e Alijaj kishin detyruar të burgosurit të bënin seks me njëri-tjetrin, pa dëshirën e tyre.
“Ata janë mbajtur në vende të pista dhe në kushte jo të mira për shëndetin. Atyre i është mohuar ushqimi, uji dhe trajtimi mjekësor”, thuhet në aktakuzën e vërtetuar nga Gjykata.
Aktakuza përshkruante një incident në Kukës, kur dy nga të burgosurit ishin të urdhëruar për të veshur jelek antiplumb dhe më pas ishin qëlluar nga një skuadër pushkatimi”, që sipas prokurorit shihet si një mënyrë për t’u torturuar. Por për këtë nuk janë gjetur prova se e ka kryer Sabit Geci. /Insajderi.com