Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, ka reaguar pas publikimit në media të lajmit për shkarkimin e saj nga pozita e kryediplomates, duke e cilësuar si fushatë joserioze, transmeton Insajderi.
Ajo ka mohuar të jetë shkarkuar apo të ketë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti ta lirojë nga detyra e ministres.
“Nuk ka asgjë të vërtetë në ato pohime. Është vazhdim i një fushate joserioze, e cila, në mungesë të skandaleve dhe keqpërdorimeve, të cilat i kanë shoqëruar qeveritë e mëparshme, përmes plasimit të lajmeve të pavërteta synon të krijojë huti tek qytetarët”, ka thënë ajo për Kallxo.com.
Sipas Gërvallës, Qeveria Kurti 2 ka nevojë për kritika të mirëfillta dhe jo fushata denigruese.
Sipas zëvendëskryeministres Gërvalla, “dikush po trembet shumë nga punët e mira dhe parimore të kësaj Qeverie”.
Tutje, ministrja e MPJD-së ka thënë që Qeverinë Kurti e presin shumë punë për të cilat do të punojnë pa ndalur.
Për këtë çështje është pyetur edhe shefi i qeverisë të dielën derisa mori pjesë në një bashkëbisedim me poetin Xhevdet Bajraj, në kuadër të Panairit të Librit.
Kurti shkurt ka thënë “jo”, duke shuar zërat se Gërvalla do të shkarkohet.
Të shtunën në media është raportuar për shkarkimin e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvallës, nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Gërvalla në Qeverinë Kurti 2 mban dy pozita, atë të kryediplomates dhe pozitën e zëvendëskryeministres./Insajderi.com