Ministrja Haxhiu dhe shefi i OSBE-së diskutojnë për adresimin e krimeve të luftës në Kosovë

Ministrja Haxhiu dhe shefi i OSBE-së diskutojnë për adresimin e krimeve të luftës në Kosovë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në takim me shefin e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Michael Davenport, kanë biseduar rreth adresimit të krimeve të luftës në Kosovë, njofton Insajderi.

Sipas një njoftimi për media të ministrisë, Haxhiu e ka njoftuar ambasadorin Davenport për prioritetet dhe angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë, duke filluar nga përkushtimi ndaj luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Dhuna në familje po ashtu si shqetësim qytetarë, e i institucioneve të Republikës së Kosovës ka nisur të trajtohet si prioritet i veçantë, duke shprehë angazhimin për themelimin e Sekretariatit si mekanizëm mbështetës për zyrën e Koordinatorit Nacional për mbrojtjen nga dhuna në familje”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjerash shefi i OSBE është njoftuar edhe më shumë për Kodin e Procedurës Penale dhe Rishikimin Funksional.

“Ministrja shprehu edhe gatishmërinë që sistemi i drejtësisë duhet t’i trajtoj problemet dhe çështjet e komuniteteve jo shumicë, veçanërisht ato të romëve, ashkalinjëve dhe egjiptianëve”.

Ministrja ka shfaqur interesimin që institucionet të jenë sa më pranë qytetarëve të Republikës, e pashmangshëm duke përfshirë edhe komunitetet tjera.

Ambasadori Davenport shprehi vullnetin për t’i mbështetur veç e veç në prioritetet e vëna, “po ashtu në përgjithësi në sfidat që e presin Qeverinë e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministrinë e Drejtësisë, duke shprehë bindjen që bashkërisht do të arrihen qëllimet e vëna për të shënuar një progres më të madh në zhvillim të shtetit, institucioneve të Republikës, gjegjësisht përfitimit të të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim”, thuhet në njoftimin e MD-së. /Insajderi.com