Dhurata Hoxha u ndje e nderuar kur mori titullin “Doktor Nderi” nga Universiteti Graceland në Ioëa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës tha se ka mbajtur fjalimin kryesor në ceremoninë e diplomimit të martën në Universitetin Graceland.
Mirëpo teksa po rrëfente për këto ndjenja të veçanta të nderimit me titullin e njohur si “Doctor Honoris Cauza” në emisionin “Ora e Fundit” në Klan Kosova, ministrja Hoxha ka “harruar” emrin e titullit me të cilin krenohej.
Ajo ka ngatërruar emrin e titullit “Doctor Honoris Cauza”, duke ia ndërruar vendin dy fjalëve të këtij titulli. Sipas ministres Hoxha, ajo është nderuar me çmimin “Honoris Doctoris Cauza” në SHBA, raporton Insajderi.
“Është e vërtetë se e kam marrë edhe një çmim në vizitën time në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjegjësisht në Universitetin Graceland. Aty më kanë nderuar me çmimin Honoris Doctoris Cauza, kam mbajtur fjalimin kryesor në ceremoninë e diplomimit dhe ka qenë një nderë shumë i madh për mua”, ka deklaruar ministrja Hoxha.
Ministrja ka treguar se më parë kishte studiuar në universitetin ku u nderua me çmimin “Doctor Honoris Cauza”.
Në një deklaratë publike, Universiteti Graceland ka shpjeguar arsyet që shtynë për t’ia ndarë këtë titull ministres nga Kosova.
“Titulli Doktor nderi, i është dhënë Ministres Hoxha me motivacionin: Personalitet i merituar që ka dhënë kontribut të shquar në shoqëri, Ajo nderon Universitetin Graceland dhe është e lidhur me këtë institucion, si dhe promovon vlerat e jetës që i kultivon Universiteti Graceland për studentët e vet”, thuhet në deklaratën e universitetit amerikan. /Insajderi.com