Ministrja në detyrë e Shëndetësisë: Masat janë duke u shqyrtuar

Ministrja në detyrë e Shëndetësisë: Masat janë duke u shqyrtuar

Ministria e Shëndetësisë është duke shqyrtuar mundësinë për lehtësimin e masave kundër Coronavirusit.

Kështu ka bërë të ditur të enjten ushtruesja e detyrës së ministres së këtij dikasteri, Dafina Gexha-Bunjaku, por nuk ka dhënë detaje se kur pritet të miratohen masat e reja anti-COVID’19.

Keto deklarata i ka bërë derisa ka vizituar ekipet mobile të vaksinimit në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, nga ku ka bërë thirrje për vaksinim, duke thënë se është e vetmja mënyrë e suksesshme për të parandaluar dhe për të mbajtur nën kontroll pandeminë.

“Jemi duke punuar vazhdimisht në fushatën për vetëdijesimin për vaksinim. Varianti Delta mbetet me dominim dhe për ta mbajtur në kontroll, rritja e shkallës së vaksinimit e kombinuar me masat janë i vetmi sukses. Masat janë duke u shqyrtuar dhe së shpejti do të informoheni”.

“Secili vend e ka të drejtën ti shqyrtojë masat brenda situatës, ne jemi në fushatë zgjedhore, tash do të vazhdohet edhe në 21 komuna, do të vazhdojnë masat e njëjta për grumbullimet do të jenë me numër të kufizuar të personave”, është shprehur Gexha-Bunjaku.

Komunat e Kosovës pas rënies së numrit të rasteve të reja me COVID-19, kanë kërkuar largimin e orës policore, zgjatjen e orarit të punës për gastronominë dhe mosbartja e maskës kur personi është i vetëm në rrugë./Insajderi.com