Ministrja serbe e Drejtësisë: Kosova mbetet në preambulën e Kushtetutës

Ministrja serbe e Drejtësisë: Kosova mbetet në preambulën e Kushtetutës

Ministrja serbe e Drejtësisë, Maja Popoviq, thotë se Kosova mbetet në preambulën e Kushtetutës së Serbisë edhe pas ndryshimeve kushtetuese, transmeton Insajderi.

Preambula e Kushtetutës aktuale të Serbisë – e miratuar në vitin 2006 – e përcakton Kosovën si “pjesë integrale të Serbisë”, raporton REL.

Gjatë seancës së mbajtur më 7 qershor, Qeveria e Serbisë ka miratuar propozimin për ndryshimin e pjesës për drejtësinë në Kushtetutë.

Serbisë i është rekomanduar harmonizimi i legjislacionit të brendshëm me atë evropian, në rrugën e saj të integrimit në BE.

Popoviq tha për mediat serbe se ndryshimi i Kushtetutës – në pjesën për drejtësimë – është më i rëndësishmi në fushën e sundimit të ligjit, sepse, siç tha ajo, sundimi i ligjit çon në një sistem ligjor, ku ka siguri juridike.

Përfaqësuesit shqiptarë në Kuvendin e Serbisë kanë votuar kundër propozimit për ndryshimin e Kushtetutës.

Deputeti shqiptar, Shaip Kamberi, ka thënë se nuk i mbështet ndryshimet e pjesshme të Kushtetutës.

Sipas tij, i gjithë legjislacioni i brendshëm duhet të harmonizohet me atë evropian, përfshirë Kapitullin 35, i cili u referohet negociatave midis Kosovës dhe Serbisë. /Insajderi.com