Minxhozi: Dialogu s’mund të jetë peng, zgjidhja i hap rrugë zhvillimit rajonal

Minxhozi: Dialogu s’mund të jetë peng, zgjidhja i hap rrugë zhvillimit rajonal

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, thotë se nevojitet angazhim për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, pasi zgjidhja e ngërçit mes dy vendeve hap rrugën për zhvillim multilateral rajonal efikas, transmeton Insajderi.

Sipas tij, njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë është çështje kohe.

“Çështja e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë është një çështje vitale e zhvillimit, e përparimit, jo vetëm të Serbisë dhe Kosovës, por të gjithë rajonit. Prandaj nuk mund të jetë peng i një partie politike, i kujtdo qoftë ajo. Është diçka që ka të bëjë me vet të ardhmen e popujve të Kosovës dhe Serbisë, por edhe të rajonit. Zgjidhja e një ngërçi mes Kosovës dhe Serbisë i hap rrugën një zhvillimi multilateral rajonal efikas”, thotë ai, raporton KP.

Diplomati shqiptar vlerëson se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për lëvizje të lirë, teksa shton se vendi ynë është në parametrat e njëjtë me vendet tjera në arritjet për liberalizimin e vizave.

“Kosova i ka plotësuar kushtet. Janë plotësuar me kohë. Nëqoftëse e bëjmë të njëjtin metër për arritjet që ka pasur Kosova në fushën e liberalizimit të lëvizjes së qytetarëve me vendet tjera, Kosova është në ata parametra”, tha ai duke shtuar se ndikojnë edhe problemet nacionale, situata politike në vendet e ndryshme në BE. /Insajderi.com