Minxhozi: Hekurudha Kosovë-Shqipëri nis punimet më 2024

Minxhozi: Hekurudha Kosovë-Shqipëri nis punimet më 2024

Rrugët që të çojnë nga Kosova drejt Shqipërisë do të zgjerohen edhe me linjën hekurudhore.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka thënë se me projektin e hekurdhës Durrës-Prizren, Kosova do të kthehet në një qendër shumë të rëndësishme të transportimit hekurudhor.

“Tani një ndër vendimet më të rëndësishme të kësaj mbledhje ishte edhe për hekurudhën. Hekurudha që do lidhi Durrësin me Prizrenin akoma po shikohen nga do të jetë udha, nuk do të thotë që tani do të bëhet në rrugën që është tani në rrugën e kombit mund të ketë edhe hapësira të tjera. Është ajo që u dakordua në mbledhjen e dy qeverive, është që të krijohet dhe të ndahet një fond i veçantë nga dy qeveritë i cili është ndarë për studimin e fizibilitetit”, tha Minxhozi për Ekonomia Online.

Punimet për ndërtimin e linjës hekurudhore Kosovë-Shqipëri, sipas Minxhozit pritet të fillojnë nga viti 2024.

“Studimi i fizibilitetit është shumë i rëndësishëm dhe mendojmë që brenda këtij viti ky do të përfundojë. Që në vitin pastaj 2023 të fillojë faza e projektimit. Dhe mendojmë aty nga viti 2024 të fillojnë punimet për hekurudhën e re që do lidhë Shqipërinë me Kosovën. Ndërkohë si Qeveria e Shqipërisë ashtu edhe Qeveria e Kosovës po shikojnë mundësinë për modernizimin e rrjetit të brendshëm hekurudhorë”.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi

Minxhozi ka deklaruar se procesi i Berlinit është shtylla kryesore e marrëdhënieve të gjithë rajonit, dhe se është e rëndësishme që në këto nisma të ketë një gjithë përfshirje.

Ai deklaroi se fokusi kryesor i të dyja vendeve duhet të jetë zbatimi i marrëveshjeve të arritura në mbledhjen e dy qeverive e mbajtur në Elbasan, ku u nënshkruan 13 marrëveshje.

“Duhet të theksojmë se procesi i Berlinit është shtylla kryesore jo vetëm e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë, por edhe e marrëdhënieve të gjithë rajonit. Është një proces ka filluar më parë, por nga ana tjetër ashtu siç është thënë edhe faktori ndërkombëtar do ishte mirëpritur edhe nisma të tjera që vendet e rajonit mund të kenë, por e rëndësishme është që në këto nisma të ketë një gjithë përfshirje”.

“Prandaj edhe një herë theksojë nuk do t’i mëshojmë kësaj teme kaq shumë por duhet të shikojmë se si po realizohen marrëveshjet midis dy qeverive dhe me kënaqësi mund të them se ky proces tashmë ka filluar për të gjetur frymën e zbatimit”, deklaroi Minxhozi.

Ambasadori ndër tjerash tha se nuk duhet humbur fokusin dhe se duhet marrë me atë që është përcaktuar në mbledhjen e fundit mes dy qeverive./Insajderi.com