fbpx

Miratohet rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë

Miratohet rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë

Me 79 vota për dhe asnjë kundër deputetët kanë votuar Rezolutën që dënon krimet nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Kryetari i Komisionit parlamentar ad hoc, Bilall Sherifi, ka paraqitur para deputetëve harmonizimin e Rezolutës me disa nga sugjerimet e deputetëve.

Ai ka thënë se pas një debati të gjerë të zhvilluar në seancën plenare kanë arritur të fusin në Rezolutë sugjerimet e deputetëve të bëra në debatin e sotëm.

Ai para deputetëve ka lexuar rezolutën në të cilën përfshihen krimet serbe në Kosovë gjatë vitit 1998-1999.

“Kjo Rezolutë ka ardhur duke u nisur nga fakti se viti 2019 shënon 20-vjetorin e krimeve të kryera në Kosovë, me qëllim zhdukjen e shqiptarëve, duke dëbuar rreth 1 milion persona, duke vrarë rreth 12 mijë civilë të pa mbrojtur të të gjitha etnive e kryesisht shqiptarë”,ka thënë ai.

Brenda Rezolutës ndër të tjera janë përmendur edhe vendet ku forcat serbe kanë kryer krime, e që sipas tij janë mbi 100 të tilla.

“Në vitin 1999 forcat serbe kryen mbi 100 masakra në Kosovë madje në disa vende edhe i djegën për së gjalli njerëzit, si në Breznik, Mitrovic,  Podujeve, Bellacerk, Randobravë, Krushë e Vogël, Krushë e Madhe, Gjakovë, Matiqan, Izbicë, Llashticë e Gjilanit, Rrezallë. Gjatë luftës ‘98-‘99 në Kosovë nënshtruan dhunë seksuale ndaj 20 mijë personave në Kosovë. Gjatë këtyre viteve dëbuan nga shtëpitë e tyre mbi 1 milion shqiptarë duke konfiskuar çdo dokument zyrtarë në mënyrë që të zhdukin çdo dëshmi”, ka shtuar ai.