Miratohet vendimi kundër Antisemitizmit

Miratohet vendimi kundër Antisemitizmit

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar vendimin kundër Antisemitizmit, duke renditur vendin përkrah shteteve aleate e strategjike të saj, në luftën kundër gjuhës së urrejtjes anti-semitike, njofton Insajderi.

Ky vendim u mor pas propozimit të ministers së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Shefja e diplomacisë kosovare, ka thënë se urrejtja ndaj hebrenjve ka shkaktuar edhe Holokaustin, që sot është ndër memoriet më të trishta dhe të turpshme të botës.

Ajo tutje ka theksuar se shteti dhe populli i Kosovës e di më së miri se çka do të thotë spastrimi etnik dhe zhbërja e identitetit.

“Kosova duke qenë vetë viktimë e ideve monstruoze të spastrimit etnik dhe zhbërjes së identitetit të saj, e kupton mirë peshën e diskriminimit”, ka thënë Haradinaj Stublla.

Duke përshëndetur vendimin e qeverisë, kryediplomatja Haradinaj ka thënë se ky vendim, dëshmon angazhimin e Kosovës për ta luftuar antisemitizmin në të gjitha format e saj.

“Miratimi i sotëm i vendimit të Qeverisë afirmon angazhimin për të promovuar dhe forcuar kujtesën ndaj Holokaustit, dhe për të luftuar Antisemitizmin në të gjitha format e saj, dhe është në harmoni me të gjitha shtetet demokratike që nuk njohin gjuhë të urrejtjes Anti-semitike”, është shprehur ministrja Haradinaj Stublla. /Insajderi.com