“Më mirë trajtohet një qen sesa ne” – rrëfimi për ‘punëtorët e krahut’ në Prishtinë

Besimit dhe punëtorve të tjerë, shpesh herë u ndodhë që për disa ditë të mos i marrë askush për t’iu dhënë punë, por ata nuk i ndal puna e çrregulluar dhe jo e deshirueshme që e bëjnë. Ata nuk i ndalin as të ardhurat e ulëta që ju sjell kjo punë.

“Më mirë trajtohet një qen sesa ne” – rrëfimi për ‘punëtorët e krahut’ në Prishtinë

“Në Kosovë më mirë trajtohet një qen se një punëtor krahu, i cili bën punë fizike”, thotë Besimi nga Prishtina, teksa qendronte ulur në një qoshe të një objekti në afërsi të rrugës “Ilir Konushefci” afër Xhamisë së Osmanit në kryeqytet.

Besimi është njëri prej dhjetra kosovarëve që ishin grumbulluar në këtë vendtakim, e që kishin të njëjtin qëllim. Besimi, bashkë me të tjerët, po prisnin që dikush t’i ofronte punë krahu, për të cilën, ai thotë se është e vështirë.

Mirëpo, në pamundësi për të gjetur një punë stabile, 53-vjeçari e merr çdo ditë të njëjtën rrugë drejt vendtakimit me punëtorët e tjerë. Siç tregon Besimi për Insajderin, ai shkon çdo ditë në këtë vend para orës 7:00 të mëngjesit.

“Është e vështirë, nuk di ka t’ia nisë, ne për çdo ditë mblidhemi këtu dhe presim që të na marrë dikush për të kryer çfardo pune. Për në më e vështirë është gjatë sezonit të dimrit, sepse është kohë kur nuk kemi ku të punojmë”, thotë Besimi për Insajderin.

Besimit dhe punëtorve të tjerë, shpesh herë u ndodhë që për disa ditë të mos i marrë askush për t’iu dhënë punë, por ata nuk i ndal puna e çrregulluar dhe jo e deshirueshme që e bëjnë. Ata nuk i ndalin as të ardhurat e ulëta që ju sjell kjo punë.

Ai tregon se shumicën e ditëve kthehet në shtëpi pa fituar asnjë cent, por edhe gjatë ditëve që e marrin për të kryer ndonjë punë e paguajnë shumë pak. Besimi rrëfen se të hënën e 27 nëntorit kishte punuar në një kanal të ujërave të zeza, për t’i fituar vetëm pesë euro nga punëdhënësi.

“Shpesh herë ndodhë kur punojmë gjithë ditën dhe paguhemi vetëm nga pesë euro”, thotë Besimi për Insajderin. “Hiq më larg se dje, unë me një punëtor tjetër shkuam për të hapur një kanal të ujërave të zeza, punuam gjatë gjithë ditës, dhë në fund të ditës zotriu i cili na mori, na pagoi vetëm nga pesë euro”.

Duke qënë në moshë të shtyer ai e ka edhe më të vështirë që të përzgjidhet për punë. “Për mua është më e vështirë sepse unë tani i kam kaluar të pesëdhjetat, dhe kur një njëri vjen për të kërkuar punëtorë, rrallë më marrin mua, sepse ata i marrin puntorët të cilët janë më të rinj në moshë”.

Pavarësisht vështirësive që çdo ditë ai dhe punëtorët e tjerë hasin në punën e tyre, Besimi tregon arsyen që e mban atë me shpresë.

“Është shumë e vështirë për punëtorët e krahut, ata sot nuk e kanë përkrahjen e askujt, çdo mëngjes dalin një numër i madh i të rinjve që të punojnë, që nuk zgjedhin se çfarë të punojnë, por me rëndësi për ta është të mos kthehen duarthatë në shtëpi”, rrëfen 53-vjeçari.

Ndërsa, sociologu Albert Mecini, ka thënë për Insajderin se ky fenomen është shqetësues. Sipas Mecinit, ky fenomen tregon gjendjen ekonomike dhe sociale të shtetit të Kosovës.

“Ky fenomen kur njerëzit dalin në rrugë si punëtorë krahu, është vërtetë shqetësues, pasi që tregon gjendjen e tyre të rëndë ekonomike dhe sociale”, thotë sociologu Mecini. “Ekziston një konsensus i përgjithshëm se papunësia si një ndër problemet kryesore me të cilat po ballafaqohet vendi, po i detyron njerëzit të gjejnë alternativa jo institucionale dhe të rrezikshme për ta, vetëm e vetëm që ta sigurojnë ekzistencën e vet dhe familjeve të tyre”.

Mecini flet për problemet ligjore dhe financiare me të cilat mund të ballafaqohen këta “punëtorë krahu”.

“Ta zëmë në rast të lëndimit në punë ose përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, personat e tillë janë pa mbrojtje ligjore dhe financiare. Ndërsa, po ashtu është shqetësues fakti se institucionet përgjegjese heshtin përballë këtij fenomeni”, tha Mecini. /Insajderi.com

(Punëtori i intervistuar nuk ka emrin e vërtetë Besim, pasi nuk ka dashur të identifikohet; inicialet e emrit dhe mbiemrit të tij janë A.K)