Nëse pushtetarët do të vendosin që të mos aktrojnë në përvjetorë të betejave të UÇK-së, përmbajtja e fjalimeve të tyre do të ndryshonte drastikisht. “Jemi krenar kur kujtojmë betejën e lavdishme të Koshares”, është fjalia e famshme që do të hiqej nga fjalimi. Do të zëvendësohej me këtë: Ndihemi të nderuar kur shohim para vetës tavolinën e mbushur me mish.
Pushtetarët ishin edhe dje aty. Aktronin se kishin ardhur për të nderuar të rënët në Betejën e Koshares.
Mbajtën nga një fjalim sa për ta shfrytëzuar 19 vjetorin për poena politik. Pas tyre, një prej familjarëve të të rënëve i porositi ata: Mos të shkelim mbi gjakun e dëshmorëve.
Bëri edhe një kërkesë naive. Kërkonte që vitin e ardhshëm, për nder të 20 vjetorit, të rregullohej kompleksi memorial.
Me gjasë, askush nuk e dëgjonte.
Në diçka tjetër ishin të fokusuar Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, krye diplomati Behgjet Pacolli, deputeti Daut Haradinaj, ministri Pal Lekaj, komandanti i FSK-së, Rrahman Rrama.
Adresa ishte Gjakova. Restoranti i këngëtarit Shkelzen Jetishi, i cili ishte ndërtuar pa leje të institucioneve. Të tillë e duan pushtetarët. Aty i priste mishi, rakia e birrat dhe muzika live nga pronari i restorantit, Shkëlzen Jetishi. Fakti që ai kishte shkelur ligjin për pushtetarët tanë është një plus. Ndikon që ndeja të bëhet edhe më atraktive.
Me të hyrë në restorant, për këta burra dhe shumë pushtetarë tjerë që ishin me ta kishte përfunduar koha e paraparë për aktrim.
Qëllimi i tyre kryesor i ditës së djeshme ishte mishi, jo nderimi i të rënëve në Betejën e Koshares.
Ata nuk bënë asgjë për të nderuar të rënët. Ende nuk ka përfunduar as ndërtimi i një memoriali të dinjitetshëm. Shpërfillën kërkesat e familjarëve të dëshmorëve për të investuar aty. Kanë kaluar tri vjet prej kur Shukrije Ramadani, gruaja e heroit Agim Ramadani, qante para tyre. Nuk kishte mundur ta përfundonte fjalimin për 16 vjetorin e Betejës së Koshares. I rridhnin lotët. Kërkonte nga pushtetarët që së paku të rregullohej memoriali, në mënyrë që familjarët e dëshmorëve ta vizitojnë atë me lehtësi. Balta kishte mbuluar atë ditë memorialin. Varrezat ishin të shkatërruara. Lopët kullosnin mbi to. Nuk kujdesej askush për to.
“Mos i lini në baltë”,porosiste gruaja e heroit Agim Ramadani.
Thirrja e saj është shpërfillur. E pritshme prej një klase politike, vizioni i të cilës nuk shkon përtej shtrimit të tavolinave me mish.
Duke respektuar në tërësi zakonin e tyre, edhe dje kishin vendosur të vepronin njëjtë.
Kishin mbushur me mish, raki e birra tavolinat në Gjakovë.
Gjatë ndejës së mishit në Gjakovë, pushtetarët shiheshin që kanë probleme tjera. Kryeministri Haradinaj shihej i etur për më shumë birra. “ O ti djalë, sillna naj birrë”, i thoshte kamerierit, kryetari i Qeverisë.
Vartësi i tij, Pal Lekaj, përformonte diçka tjetër. Kishte vendosur të krekosej. I jepte baksish orkestrës. Në fakt, veprimi i tij simbolikisht plotësonte talljen që pushtetarët i bënin përvjetorit të Betejës së Koshares. Pa bakshishin e Pal Lekajt, tallja nuk do të ishte e plotë.
Për ta tepruar me tallje ishte kujdesur edhe Rrahman Rama, komandanti i FSK-së.
Kishte vendosur që në ndejën e mishit të shkonte me uniformë të FSK-së. Me gjasë, sipas tij aksioni i vërsuljes “Mishi i freskët”, duhet të respektohet me uniformë zyrtare.
Një gjë është e sigurt për ta. Aksioni i vërsuljes ndaj mishit nuk ka pasur gjasa të jetë i dështuar. Cilësia e mishit ka qenë e garantuar. Pushtetarët nuk janë të rrezikuar sikurse ne nga mishi i prishur.
Për dallim prej qytetarëve, ata edhe e njohin nga larg cilësinë e mishit. Kanë mbajtur shpesh ahengje me mish, raki e birra. Nuk mund të jenë viktima të mishit të prishur. Kanë përvojë në ngrënien e tij. E diktojnë cilësinë me kilometra.
Ahengu në Gjakovë nuk është i pari e as i fundit, kur udhëheqësit e vendit më të varfër në Evropë zhytën në ndeja luksi.
Ngjashëm kishin vepruar edhe në shkurt të këtij viti. Ishin mbledhur në rezidencën e Behgjet Pacollit, në Hajvali. Aty kishin qenë pothuajse gjysma e kabinetit qeveritar, bashkë me presidentin Thaçi, kryeministrin Haradinaj, krye parlamentarin Kadri Veseli e zv/kryeministrin Enver Hoxhaj,
Kjo nuk është e tëra. Më herët ishte mbajtur edhe një aheng edhe më i turpshëm se sa ky. Festohej pafajësia e Limajt në fshatin e tij të lindjes, në Banjë të Malishevës.
Kishin bërë edhe akte jo burrërore, në dhjetor të vitit të kaluar. Kishin rrezikuar tërë lagjen, duke gjuajtur në mënyrë amatore me armë zjarri. Atë natë, lagja ishte rrezikuar nga Dardan Gashi, zv/kryeministër e ministër i Diasporës, Sami Lushtaku, ish-kryetar i Skënderajit dhe Endrit Shala, këshilltar i Limajt.
Jam i sigurt që ritmi i eskalimit të pushtetarëve në festa të çmendura në mish e luks do të vazhdojë. Ndoshta, do të ketë edhe më shumë. Por, e kundërta nuk do të ndodhë. Nuk do të ndalojnë.
Derisa pushtetarët eskalojnë në festa të çmendura për çdo dy muaj dhe aktrojnë se kinse po respektojnë përvjetorët e lavdisë, familja e Agim Ramadanit përballet që katër vjet edhe me një problem tjetër.
Hajnat kishin thyer banesën e tyre në vitin 2014. Kishin vjedhur medaljen e “Heroit të Kombit” që iu ishte ndarë nga ish-presidentja Atifete Jahjaga,
Ndonëse kanë kaluar tërë këto vite, gruaja e heroit ankohet që medalja ende nuk është gjetur nga Policia e Kosovës. Po ashtu, askush nga Presidenca nuk i ka kontaktuar për ta zëvendësuar me një të re.
Por, ky nuk është problem i shokëve të luftës të heroit Agim Ramadani. Ata nuk mërziten për faktin që familja e tij ka dëshirë ta posedojë një mirënjohje për ta kujtuar Agimin. Ata mërziten vetëm për sasinë dhe llojin e mishit në tavolinat e tyre. Mërziten edhe për një gjë tjetër: Duan të kenë edhe para për t’i dhënë bakshish orkestrës. Ndihen krenar kur e bëjnë këtë.
Pal Lekaj dukej njeriu më i lumtur në botë gjatë aktit të krekosjes, në cilësinë e shpërndarësit të bakshishit.