Forca e Sigurisë së Kosovës pritet të zbarkojë në misionin e parë paqeruajtës në mars të këtij viti, që nga shndërrimi i saj në ushtri në dhjetor të vitit 2018, transmeton Insajderi.
Kontingjenti i ushtarëve të Kosovës do të jetë pjesë e misionit të Gardës Kombëtare të Ajovas të Ushtrisë amerikane dhe destinacion i parë pritet të jetë Kuvajti.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka bërë të ditur se në shqyrtim janë dy vende.
“Për vende, i kemi dy opsione, Kuvajtin dhe Irakun, por presim që shumë shpejt ta konfirmojmë këtë. Sado të jetë simbolike, pjesëmarrja jonë është shumë e rëndësishme për FSK-në dhe Kosovën”, ka deklaruar Rama, raporton REL.
Madje nga zyrtarë shtetërorë mësohet se opsioni i Irakut është më pak i mundshëm, pasi ky shtet ende nuk e ka njohur Kosovën.
Këto detaje janë zbuluar një ditë pasi Kuvendi i Kosovës me 92 vota për dhe asnjë votë kundër, miratoi vendimin e 31 dhjetorit 2020 të Qeverisë së Kosovës për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës. /Insajderi.com