Përderisa Shoqata e Qumështarëve të Kosovës thonë se shumë prodhues në Kosovë shesin vajin e palmave si qumësht, Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit thotë se “prodhuesit nuk janë të çmendur që të përdorin vaj në mas të tejkaluar”. Ky vaj zyrtarisht është cilësuar edhe si kancerogjen, por nuk është i ndaluar nga BE-ja. Në këtë pikë kanë ngecur edhe institucionet e vendit
Vaji i palmës i cili gjen përdorim në shumë industri përfshirë edhe atë të produkteve qumështore, nuk do të ndalohet të përdoret dhe të importohet në Kosovë, kjo pasi që sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk është i ndaluar nga autoritetet përkatëse të Bashkimit Evropian.
Por Shoqata e Qumështoreve dhe Shoqata e Fermerëve te Qumështit, vazhdojnë të thonë se vaji i palmës nuk duhet përdorur në produktet qumështore, pasi që përmban veti të dëmshme duke sjellë sëmundje kardiovaskulare, tension, infarkt, sëmundje te veshkave, kancer si dhe efekteve gjenotoksike, raporton Insajderi.
“Vaji i palmës nuk duhet të përdoret në prodhime të qumështit sepse ato produkte sipas rregulloreve të EU nuk guxojnë te quhen prodhime nga qumështi pra edhe nuk mund as te emërtohen dhe as te shiten si të tilla”, ka thënë për Insajderin, Ramadan Memaj kryetari i Shoqatës së Qumështoreve.
Vaji i palmës i cili prodhohet nga fruti dhe fara e frutit të palmës, sipas Autoriteti Evropian për Siguri Ushqimore ka veti kancerogjene dhe gjenogene, kur ato gjatë procesit të prodhimit të tyre arrijnë trajtimin në temperaturë mbi 200 °C.
Për vetitë e dëmshme të vajit të palmës është në dijeni edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, por ata thonë se nuk mundë të ndalojnë përdorimin e vajit të palmës përderisa nuk ka ndonjë ndalesë nga institucionet ndërkombëtare.
“Për derisa nuk merret ndonjë vendim për ndalimin e vajit të palmës në produkte ushqimore nga institucione relevante ndërkombëtare, Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit nuk vendosë ndalesë në përdorimin e tyre”, thuhet në komunikatën e AVUK-t lëshuar për medie.
Në Shoqatën e Qumështoreve dhe Shoqatën e Fermerëve të Qumështit thonë se në bazë të analizave të bërë nga ta, vaji i palmës përdoret në produktet qumështore në vend për të zëvendësuar atë me yndyrën e qumështit natyral.
Sipas tyre “asnjë produkt i qumështit nuk guxon as ne sasi minimale te përmbaj yndyre bimore si vaj palme apo edhe kokosi.
Ndërsa kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit, Valdet Gjinovci ka besimin tek prodhuesit vendor të prodhimeve të qumështit, pasi që sipas tij ata “nuk janë të çmendur që të përdorin vaj në mas të tejkaluar”.
Ai gjatë një intervistë për Radiotelevizionin publik, gjithashtu ka sugjeruar se më mirë është të përdoren prodhimet vendore se sa ato të importuara, pasi që sipas tij produktet e importuara “dihet se në cilën rrugë vijnë”, pa treguar për çfarë rruge bëhet fjalë./Insajderi.com