Qytetarët e Mitrovicës kanë dalur që t’i presin pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës teksa ata po kthehen nga pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, njofton Shqip.com.
Kjo pas thirrjes së kryetarit të kësaj komune, Agim Bahtiri, i cili përmes një postimi në Facebook, i ftoi qytetarët që t’i mirëpresin dhe përshëndesin ata.
“I ftoj qytetarët e Mitrovicës që në ora 16:00 t’i mirëpresin dhe përshendesin heronjtë e gjallë të Kosovës, pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës tek ish-Hotel “Adriatiku” në Mitrovicë, të cilët do të kthehen nga pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë”, ka shkruar ai.
Largimi i Njësisë Speciale të Kosovës në Jarinje dhe Bërnjak është bërë pas nënshkrimit të marrëveshjes për targat në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
Marrëveshja e Brukselit:
Sipas marrëveshjes së arritur të enjten me ndërmjetësimin e BE-së, forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës që janë vendosur në Jarinjë dhe Bërnjak për më shumë se 10 ditë, do të largohen, por njëkohësisht do të largohen edhe bllokadat e vendosura në rrugë.
Largohet Njësia Speciale e Kosovës nga Bërnjaku, protestuesit provokojnë duke brohoritur “Serbia, Serbia” (VIDEO)
Kjo tërheqje do të ndodhë të shtunën, më 2 tetor në orën 08:00 dhe do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00.
KFOR-i do të vendoset në këto dy pika kufitare para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.
Në pikën 2 të marrëveshjes, nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse me të cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë.
Pika e tretë e kësaj marrëveshje thotë se do të krijohet një Grup Punues i përbërë nga përfaqësuesit e të tri palëve – të BE’së, Prishtinës dhe Beogradit, dhe që do të kryesohet nga BE’ja për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave bazuar në standardet dhe praktikat e Bllokut.
Takimi i parë i këtij Grupi të Punës do të mbahet më 21 tetor 20201 në Bruksel.
Brenda gjashtë muajve nga takimi i tij i parë, Grupi i Punës do të paraqesë gjetjet e tij mbi një format të përhershëm të nivelit të lartë të Dialogut.
Çfarë ndodhi në Veri të Kosovës?
Serbët e veriut nuk u pajtuan me këtë aksion që për qëllim kishte vendosjen e rendit. Një numër i madh i tyre dolën në rrugë, ku pos protestave – bllokuan rrugët me dhjetëra kamionë.
Gjithçka nisi në mëngjesin e së hënës, kur Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak për të siguruar se po zbatohet masa e reciprocitetit me Serbinë për targat.
Nuk vonoi shumë dhe po atë ditë filloi seanca e Kuvendit të Kosovës. Aty me targa në dorë doli kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Targat e përkohshme nuk janë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër”, tha ai para deputetëve.
Por, ai gjeti kundërshtim nga opozita, të cilët thanë se “po bën shoë”, duke aluduar te zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor. Kurtin për këtë masë e kundërshtoi edhe një pjesëtar i kabinetit të tij. Goran Rakiq – kryetar i Listës Serbe, kërkoi nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të reagonte.
Në po atë natë, derisa protestat vazhduan – ato filluan të bëhen edhe më tensionuese. Përveç tendave të vendosura nga banorët serbë të asaj zone, me çka treguan se nuk e kanë ndërmend të ndalen, të njëjtit ngritën edhe një baner të madh me mbishkrimin “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe”./Insajderi.com