Mitrovicë: Aksion i gjerë i policisë pas ankesave të banorëve për zhurmë

Mitrovicë: Aksion i gjerë i policisë pas ankesave të banorëve për zhurmë

Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës së bashku me Policinë dhe Njësinë Speciale të Kosovës do të zhvillojnë aksion në lokalet e Mitrovicës pas ankesave të banorëve për zhurmë deri në orët e vona.

Kështu është bërë e ditur në një njoftim nga Komuna e Mitrovicës.

Gazeta Online Insajderi ka kontaktuar me Drejtorin e Inspeksionit në këtë komunë, Fidan Ademi, i cili ka thënë së ky aksion po ndërmerret pas shqetësimeve dhe ankesave të vazhdueshme të qytetarëve për zhurmë që po shkaktojnë lokalet e qytetit.

Ai ka thënë së nuk bëhet fjalë për aksion një ditor, por do të zgjasë më shumë se një ditë.

“Ky aksion do të jetë i përmasave të gjera që do të zgjasë me javë deri sa muzika që lëshohen në lokale nuk do ta pengojnë asnjërin, sidomos banorët që jetojnë mbi ato lokale”.

Ademi ka deklaruar se përveç zhurmës, do të analizojmë në detaje çdo parregullsi që mund të këtë në lokal duke marrë masa shumë të ashpra për prishjen e rendit dhe qetësisë publike.

I pyetur nëse do të jetë edhe Njësia Speciale, pasi që një numër i qytetarëve kanë shprehur reagime për pjesëmarrjen e saj, Ademi ka pohuar prezencën.

“Po besoj, janë lokale me problematike, por këto detaje nuk mundem me i diskutua, megjithatë do të jetë prokuroria, policia dhe komuna e Mitrovicës, nëse është nevoja edhe Inspektorati i punës do të angazhohet”, ka thënë ai.

Ai më tej, tha se do të jenë të gjitha instrumentet e shtetit për ta qetësuar situatën si dhe ka qenë propozim i policisë që të marrë pjesë Njësiti Special.

“Ka qenë propozim i tyre që më qenë me Njësiti Speciale për shkak që më u kontrollu edhe për narkotik edhe për prejardhjen e pijeve, por nëse ka ndonjë parregullsi do të marrim masa se bashku me policinë”.

Ndërsa në anën tjetër, redaksia ka kontaktuar më zëdhënësin e policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahitin, i cila ka thënë së policia do të asistojë sipas nevojës, por nuk mund të themi që është edhe Njësiti i Policisë Speciale pjesë e aksionit.

“Ne kemi një njësi e cila quhet ‘Njësia e Reagimit të Shpejtë’ e cila do të asistojë sipas nevojave, por nuk mund të themi që është Njësiti i Policisë Speciale”, ka deklaruar ai.

Komuna e Mitrovicës ka thënë së ky vendim është marrë pas takimit që ka pasur kryetari i komunës, Agim Bahtiri, me përfaqësuesit nga Stacioni Jugor i Policisë në Mitrovicë, si dhe zyrtarë komunal nga Drejtoria e Inspekcionit.

“Pas diskutimeve të shumta nga të pranishmit në takim, është marrë vendim i përbashkët që nga sot në ora 20:00, Drejtoria e Inspekcionit së bashku me Policinë̈ e Stacionit Jugor dhe Njësinë̈ Speciale të Kosovës, të mbajnë aksion të gjerë për kontrollimin e lokaleve, në mënyrë që t’iu përmbahen rregullave në bazë të veprimtarisë për të cilat kanë marrë leje”./Insajderi.com