
Beriana Mustafa, vajza e Xhemajl Mustafës ka folur sot rreth vrasjes së babit të saj. Sipas Beriana Mustafës oponentët politik të babit të saj dhe ata që kanë qenë të interesuar ta marrin pushtetin, janë urdhër dhënësit për vrasjen e Xhemajl Mustafës.
Mustafa në një intervistë për televizionin T7 ka thënë se mjafton të dëgjosh aferën “Pronto” dhe e dinë kush ka dhënë urdhër për vrasjen e babait të saj, Xhemajl Mustafës.
“E di që kanë qenë oponent politik të babës tim deri në fund. Nëse SHIK-u nuk është , mund të jetë edhe dikush tjetër. Mjafton me e ndëgju aferën ‘Pronto’ dhe e dinë kush janë. Me njerëz të cilët e kanë kapur shtetin dhe e kanë fuqinë e pushtetit dhe i vendosin. Ata që kanë qenë të interesuar me e marrë pushtetin, askush tjetër. Ata i kanë dhanë urdhrat për vrasje”, ka thënë Beriana Mustafa.
Po ashtu ajo është shprehur se edhe partia në të cilën babai i saj ka qenë pjesë është dashur të bëjë diçka kur ajo ishte pjesë e qeverisë.
“Natyrisht që LDK-ja ka mund të bëjë diçka sidomos kur e ka pasur ministrinë e Drejtësisë. Pse nuk ka bërë këtë nuk e di. Megjithatë gjyqësori duhet të jetë i pavarur nga politika. Në fund të ditës, prokuroria dhe drejtësia nuk trokasin në dyert e atyre që flasin rreth asaj se kush e ka vra, dhe në fund të ditës për ne rezultati është zero”, ka thënë Mustafa.