Mjekët në QKMF me apel: Të mos teprohet me ushqime për festën e Bajramit

Mjekët në QKMF me apel: Të mos teprohet me ushqime për festën e Bajramit

Mjekja kujdestare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Violeta Haxhija, u ka bërë thirrje qytetarëve që në festën e Fitër Bajramit të mos teprohet me ushqime, e veçanërisht me ëmbëlsira, transmeton Insajderi.

Haxhija tha se janë paraqitur disa raste me rritje të sheqerit dhe hipertension në orët e hershme të së enjtes.

“Së pari shfrytëzoj rastin të uroj gjithë besimtarët për festën e Bajramit. Uroj që të gjithë besimtarët të mos e teprojnë me ngrënie të ëmbëlsirave. E dimë se në këtë festë përgatisim shumë ushqim, e i kushtojmë rëndësi shumë edhe ëmbëlsirave. I lus qytetarët të mos e teprojnë me ëmbëlsira, t’i kushtojnë rëndësi ushqimeve të shëndetshme, duke filluar nga ushqimet që i kanë përgatitur e jo vetëm ëmbëlsirat”, ka thënë Haxhija për “SOT” të KTV-së.

“Sidomos te pacientët që vuajnë nga ndonjë sëmundje kronike, diabeti si shembull, qytetarët duhet të kujdesen të mos marrin shumë ëmbëlsira. Mund të marrin ndonjë dozë të vogël sa për të kërkuar. Por jo të teprohet. Që nga fillimi i orëve të para të mëngjesit, kemi pasur disa pacientë që janë paraqitur me diabet të ngritur apo edhe hipertension. I kemi dhënë ndihmën e duhur qytetarëve dhe i kemi këshilluar të mos ngarkohen me teprim të ushqimit”, shtoi ajo. /Insajderi.com