Zyrtarët shëndetësorë bëjnë të ditur se ikja e mjekëve nga Kosova po vazhdon edhe në këtë kohë pandemie, transmeton Insajderi.
Sipas tyre, vetëm gjatë vitit 2020 kanë ikur 101 mjekë. Në bazë të një hulumtimi të bërë nga Federata Sindikale e Shëndetësisë rezultoi se 90 për qind e mjekëve të rinj janë duke u përgatitur që të emigrojnë jashtë vendit.
Ndryshe në Kosovë janë rreth 300 mjekë që vazhdojnë të jenë të papunë. Prej tyre rreth 200 janë mjekë stomatologë.
“Po e them ekskluzivisht për emisionin tuaj se jemi në përfundim të një studimi që jemi duke e bërë dhe rezultatet tregojnë se 90 për qind e mjekëve të rinj janë duke u përgatitur që të emigrojnë jashtë vendit”, thotë Blerim Syla, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, tha për Radio Kosovën se trendi i ikjes së mjekëve nga vendi nuk ka ndryshuar as gjatë vitit 2020.
“Gjatë vitit 2020 kanë ikur jashtë Kosovës 101 mjekë, 90 për qind kanë qenë mjekë të rinj dhe mjekë të përgjithshëm. Përkundër mbylljes së kufijve për shkak të pandemisë trendi i ikjes ka qenë alarmante. Kërkesa zyrtare përmes kontakteve të odës nuk ka pasur nga ana e shteteve të tjera, por kanë qenë ikje individuale dhe kontakte private”, tha ai. /Insajderi.com