Mjekja e shëruar nga koronavirusi: COVID-19 nuk është i lehtë për t’u tejkaluar

Mjekja e shëruar nga koronavirusi: COVID-19 nuk është i lehtë për t’u tejkaluar

Valbona Tafilaj ka arritur që pas 30 ditësh qëndrimi në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare ta mposht koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Valbona është mjeke-psikiatër në Prishtinë dhe punon në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Por, me virusin e ri është infektuar derisa ishte në Angli, ku kishte qenë në një udhëtim zyrtar më 9 mars. Në spital është shtrirë më 16.03.2020 dhe është liruar për në shtëpi më datë 15.04.2020.

‘’Sapo kam arritur në aeroportin e Prishtinës, kam kërkuar vetë të testohem. Arsyeja ka qenë se përderisa në shumë vende koronavirusi ishte temë kryesore, në Londër, ku unë kam qëndruar disa ditë, jeta zhvillohej normalisht. Ndonëse nuk e kam pasur asnjë simptomë përpos dhimbjes në nyje, e që kam menduar se e kam pasur nga ecja që kam bërë në Londër, testi më doli pozitiv”, tha ajo.

Doktoresha Tafilaj thotë se ka qenë e befasuar nga lajmi që i është kumtuar për rezultatin e testit.

“Ajo që më ka shkuar në mendje menjëherë, ka qenë familja ime – si do ta përjetojnë gjithë këtë situatë. Dhe ashtu doli, kanë qenë shumë të shqetësuar. Më pas u shtriva në klinikë, dhe për tre javë rresht nuk kam dalur as në ballkonin e dhomës së spitalit. Takimi im i vetëm ka qenë me mjekë dhe infermierë’’, tha ajo.

Dhe përderisa fillimin e sëmundjes e përshkruan me simptoma më të lehta, Dr. Tafilaj thotë se me kalimin e ditëve, virusin filloi ta përjetojë si virus ankthi.

‘’Në fillim të sëmundjes ndihesha mirë. Pas disa ditësh filloi një dhimbje e madhe e kokës, me të vjella, kollë e diare. Java e dytë ma çrregulloi ritmin e zemrës, si dhe tensionin e gjakut. COVID-19 filloi të më shkaktojë edhe ankth dhe frikë. Secila simptomë që përmendej më dukej se ishte në trupin tim. Pas testit të dytë dola pozitiv, testi i tretë, gjithashtu pozitiv, deri te testi i katërt, unë vazhdimisht rezultoja rast pozitiv”.

“Kjo më shqetësonte shumë, dhe kisha përshtypjen që gjithmonë do të jetoja me këtë virus në trup, dhe koha e qëndrimit në spital më dukej tejet e gjatë’’, tha ajo.

Dhomën ku ka ndejtur 30 ditë e përshkruan si shumë të vogël, me një karrige të kuqe përballë shtratit, një tavolinë të vogël dhe banjo vetëm tre hapa larg shtratit.

Mjekët dhe infermierët ishin i vetmi kontakt për të.

‘’Kam pasur momente të vështira, të qëndrosh brenda një dhome të vogël spitali dhe të jetosh me simptomën e vdekjes, sepse është virus i panjohur dhe nuk e din se çka po ndodh. Çdo ditë pret me u fut në oksigjeno-terapi, apo ventilatorë. Pas testit të katërt, për dy ditë rresht kam pasur ankth. E kalova rrezikun, por ka qenë e vështirë”, thotë Tafilaj.