Pavarësisht dilemave të shumta që janë ngritur rreth vaksinës AstraZeneca, kardiologu Artan Ahmeti thotë se komplikimet pas marrjes së kësaj vaksine janë minimale dhe të papërfillshme, transmeton Insajderi.
Sipas tij, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë sqarime të mjaftueshme që ajo është e sigurt.
“…ka pasur dilema, por përndryshe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë sqarime se vaksina është e sigurt dhe komplikimet janë shumë minimale dhe të papërfillshme”, ka thënë Ahmeti për EO.
Në mbrëmjen e 28 marsit në Kosovë arritën 24 mijë doza të vaksinës së prodhuar nga kjo kompani, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i OBSH-së.
Pavarësisht vonesave, menaxheri i Klinikës “Infektive 2”, Ahmeti thotë se është një numër modest i vaksinave, por ai shpreson që ky është një fillim i mbarë për vendin.
“Por sigurisht që është një vonesë dhe jemi shtetit i fundit që po pajisemi me vaksina dhe mendoj që është një numër modest i vaksinave dhe sigurisht që tash po shpresoj që është një fillim i mbarë”.
“Në Klinikën Covid 2 nuk kemi pasur asnjëherë probleme me oksigjen dhe të gjithë pacientët e hospitalizuar janë të kyçur në oksigjen qendror”, tha ai.
Ndryshe, dhjetëra vende kanë pezulluar përkohësisht përdorimin e vaksinës AstraZeneca kundër Coronavirusit. Kjo ka ndodhur pas raporteve se disa persona kanë pësuar mpiksje gjaku, pas vaksinimit. /Insajderi.com