
Doktori kosovar, Mitat Salihu, ka njoftuar se është infektuar me Covid-19, për çka iu kërkon falje të gjithë atyre me të cilët ka pasur kontakt dhe janë infektuar, njofton Insajderi.com
Përmes një postimi në Facebook, Salihu tutje ka shtuar se të rezultosh pozitiv me Coronavirus nuk është marre, por sipas tij marre është të jesh pozitiv dhe të mos izolohesh.
“U kërkoj falje nëse dikush është infektuar si pasojë e kontaktit me mua.
Duke pas parasysh që nga ky fakt ka pësuar edhe personi më i dashur në jetën time, vajza ime Loreta, besoj që do të më falni”, ka shkruar ndër tjerash ai.
Ky është postimi i plotë i tij:
Të nderuar familjarë, miq e veçanërisht kolegë mantelbardhë!
Pas disa ditësh me simptoma, dje më është bërë e mundur të testohem për COVID-19.
Sot, para disa orëve kam pranuar telefonatën nga IKSHPK për të konfirmuar se rezultati i testit tim për COVID-19 është pozitiv.
Të jesh pozitiv me COVID-19 nuk është marre.
Marre është të jesh pozitiv edhe të mos izolohesh! E, unë e kam bërë këtë, e këtë janë duke e bërë edhe shumë të tjerë.
Por, ka një dallim, përderisa nuk të bëhet e mundur të testohesh edhe si punëtor shëndetësor, atëherë kjo më bën së paku moralisht të pafajshëm. Sepse e vetmja mënyrë për të vërtetuar se a je pozitiv është testimi.
Gjatë kësaj kohe kam punuar pa ndërprerë me pacientë, duke mos e ditur se jam pozitiv. E kam bërë më të mirën e mundshme ashtu si të gjithë kolegët e mi 24/7.
U kërkoj falje nëse dikush është infektuar si pasojë e kontaktit me mua.
Duke pas parasysh që nga ky fakt ka pësuar edhe personi më i dashur në jetën time, vajza ime Loreta, besoj që do të më falni.
- Apel Qeverisë që punëtorët shëndetësorë të trajtohen më dinjitetshëm, sepse pa ta lufta kundër COVID-19 është e humbur. Të testohemi pa ndërprerë edhe nga disa herë nëse është nevoja.
E tmerrshme kur një punëtor shëndetësor është shpërndarës i infeksionit si puna ime, e arsyeja është pamundësia për t’u testuar edhe pas disa kërkesave. /Insajderi.com/