Mjeku shqiptar: Kosovarët e kthyer në Zvicër po akuzohen rëndë për testet false, kjo e diskrediton gjithë Kosovën

Mjeku shqiptar: Kosovarët e kthyer në Zvicër po akuzohen rëndë për testet false, kjo e diskrediton gjithë Kosovën

Mjeku shqiptar në Spitalin e Luzernit, i cili u bë edhe më i njohur për shkak të mesazhit të tij në gjuhën shqipe që zuri ballinën kryesore të gazetës më të madhe zvicerane “Blick.ch”, thotë se deri në 80 për qind e pacientëve me COVID-19 në Zvicër janë shqiptarë.

Cuculi, shef i Kardiologjisë në Spitalin e Luzernit, në një intervistë për Interaktiv të KTV-së ka shpjeguar atë që ai e sheh si mision profesional – të bindë të shqiptarët në Zvicër të vaksinohen.

AI thotë se kjo duhet të ndalet që shqiptarët të mos jenë motor edhe i valës së katërt në vjeshtë.

“Popullata për fat të keq është e painformuar, e bëra thirrjen shqip në Blick. Ia vlen në gjuhën shqipe pasi ka që nuk e kuptojnë gjuhen gjermane, e konsiderova të dobishme që të shfrytëzohet çdo mënyrë e mundshme për të informuar shqiptarët për rrezikun”, ka thënë Cuculi për “Kohën”.

“Një popullsi me 3-4 për qind të ketë mbi 50 për qind pacientë në spitale, kjo është e papranueshme. Popullata nuk ka faj, unë edhe në shkrimin tim nuk kam shkruar për fajin dhe shkaqet, jam përcaktuar për të ardhmen dhe e ardhmja është vaksinimi, që të mos bëhemi motor edhe i një vale tjetër në vjeshtë, të mos bëhemi gazi i Zvicrës dhe i botës”, shtoi ai.

Teksa ka folur për rritjen e numrave të rasteve pozitive me COVID-19 në këtë vend, ai theksoi edhe akuzën e rëndë të mediave zvicerane për kosovarët se u kthyen në Zvicër me teste false për COVID-19.

Sipas tij, kjo është akuzë e rëndë dhe shteti i Kosovës duhet të hetojë këtë çështje.

“Shteti i Kosovës duhet ta hetojë këtë. Të thotë që nuk është e vërtetë, ose ta pohojë dhe të mbyll ato laboratore, kurse pronarët t’i dërgojë në burg. Është akuzë shumë-shumë e rëndë. Kjo e diskrediton gjithë Kosovën, sistemin shëndetësor”, ka thënë ai.

Cuculi ka fajësuar edhe shtetin e Zvicrës që përmes fushatave nuk ia ka arritur të depërtojë te shqiptarët që jetojnë në këtë vend. /Insajderi.com