Mjeku shqiptar në Kinë tregon nëse ka shqiptarë të prekur nga koronavirusi

Mjeku shqiptar në Kinë tregon nëse ka shqiptarë të prekur nga koronavirusi

Bledar Isaku, është mjek shqiptar që jeton e punon prej 13 vitesh, në Kinë.

Ai përmes një interviste për Top Channel, flet për situatën e tanishme në Kinë pas shfaqjes së korona virusit duke e vënë theksin tek komuniteti shqiptarë atje.

“Unë banoj në Pekin prej 13 vitesh dhe në baze të informatave zyrtare lokale apo ndërkombëtare të besueshme dhe akademike, të qytetit ku unë jetoj ka patur raste të prekurish, ndonëse origjina e virusit nuk është Pekini, duke qenë se ky event përkoi edhe me Vitin e Ri Kinez , lëvizja e popullatës është e vështirë të kontrollohet dhe ka patur përhapje të tillë”.

“Dua të theksoj që nuk ka asnjë shtetas shqiptare (për ato 300 që une jam në dijeni) që jo vetëm mos ketë patur infektim të tyre, por edhe simptoma të dyshueshme që mund të kenë lidhje me një virozë të tillë, deri tani nuk ka patur”, ka thënë Isaku.

I pyetur rreth raportimeve që sugjerojnë se përmasa e shpërndarjes të këtij virusi është më e madhe nga ajo çfarë raportojnë autoritetet atje, Isaku ka thënë se nuk ka konfirmime nga autoritetet se përhapja e këtij virusi mund të jetë 90 000 të prekur siç shkruajnë mediat.

“Unë nuk jam në dijeni të vërtetësisë së informacioneve që raportojnë burime të ndryshme. Di të them qe autoritetet lokale dhe WHO (World Health Organization) së bashku me burime mjekësore, janë në koherencë, ndonëse ka një diferencë minimale, përderisa këtu është prioritet marrja dhe ekzaminimi i personave që i drejtohen institucioneve mjekësore dhe updatimi ekzakt i shifrave në hë reale është pak i vështirë, por nuk ka konfirmime që janë të niveleve që promovohet nëpër media 90 000 apo ku di unë. Theksoj që burimet lokale dhe ato ndërkombëtare të besueshme dhe zyrtare janë të përafërta. Më tepër nuk di të them, sepse do shtyja veten në drejtim të spekulimit dhe nuk më duket etike. Informacione të zombie land apo 90 mijë veta janë të pabaza. Është e vërtetë që ka pak lëvizje në rrugë, pasi sensibilizimi ka qenë i shpejtë dhe qytetarët po marrin masat e duhura për të mbrojtur veten dhe të tjerët”, tha ai.

Mjeku shqiptarë ka thënë se të paktën 300 qytetarë shqiptarë që ai i njeh në Kinë shumicën përmes rrejeteve sociale, i drejtohet mediave dhe portaleve në vend që mos të përhapin lajme të pakonfirmuara pasi që të gjithë janë mirë dhe nuk kanë shfaqur simptoma të këtij virusi.

“Familjarët në Shqipëri janë më të shqetësuar se vetë ne këtu, sepse dëgjojnë shumë lajme që për hir të së vërtetës jo vetëm të pasakta, por edhe deri diku jo etike nga ana e mediave. Situata deri në këto momente nuk ka vend për panik, nuk është aspak jashtë kontrollit. Patjetër që shqetësimi ekziston tek të gjithë, pasi nuk dihet me siguri se si do të procedojë më tej, por ky informacion nuk po fshihet apo nuk po bëhet publik, por asnjë nuk e jep dot këtë përgjigje pasi është një situate që ama po ndodh, por dua të theksoj të mos përhapet panik, sepse dëmton më shumë familjarët në Shqipëri sesa ne që jemi këtu”, tha ai.