Mjeshtëria shkrimore e Virion Graçit

Shkruan: Adil OLLURI

Mjeshtëria shkrimore e Virion Graçit

Prozatori dhe miku im, Virion Graçi, këtë vit e ka botuar romanin  “Dead end”, por unë nuk desha t’ia lexoj këtë roman pa e lexuar atë që e ka botuar në vitin e kaluar, që mbanë titullin “Pëllumbat i vrasin natën”. Të dy romanet janë të botuar nga shtëpia e mirënjohur botuese “Onufri”.

“Pëllumbat i vrasin natën” është roman që të rrëmben, të futë në botën e tij artistike e narrative dhe nuk të lë të dalësh jashtë tij deri në faqen e fundit. Nuk është turp të them se rrëmbehem nga letërsia e mirë, e shkruar me finesë gjuhësore e stilistike dhe me mjeshtëri të lart në ndërtimin e ngjarjeve dhe situatave të krijuara. Por, kur një gjendje të tillë ma shkakton  letërsia shqipe, atëherë, natyrshëm, gëzimi është shumëfish më i madh.  Ky roman i Virion Graçit i ka dy anët që e mundësojnë këtë tërheqje të fuqishme të lexuesit pas veprës.  E ka ligjërimin e bukur artistik dhe ndërtimin mjeshtëror.

Romani “Pëllumbat i vrasin natën” shquhet për një sërë elementesh që e përbëjnë tërësinë e tij. Por, ia vlen t’i përmendim diskursin ironik, humorin e zi, dimensionin tragjikomik të semantikës së romanit, kompozicionin jokonvencional, mënyrën e veçantë të ndërtimit të personazheve, situatave dhe sekuencave narrative. Mjeshtëria shkrimore e Virion Graçit shkëlqen në të gjitha këto elemente përbërëse të romanit të tij.

Për mendimin tim, janë tri personazhe që e bartin peshën më të qenësishme të rrëfimit në këtë roman. Ata janë Bekim Pitaka, gruaja e tij Neta dhe djali i tyre, Vegimi. Bekim Pitaka portretizon figurën e reaguesit kundër diktaturës komuniste në Shqipëri. Reagimi i tij fillestar është i brendshëm. Nuk ndihet rehatshëm në një sistem të gënjeshtërt, në një sistem që nuk e respektonte asnjë normë njerëzore e morale, siç ishte regjimi komunist i Enver Hoxhës. Ai në fillim përballet me veten. Përballet me pafuqinë e tij për ta ndryshuar një sistem të tillë që dita-ditës vetëm sa fuqizohej. Reagimi i tij sekondar kundër një diktati të tillë bëhet përmes shkrimit të poezive që nuk përkonin me frymën e kohës, si dhe bisedave anti-sistem në rrethet e ngushta të miqve. Bekim Pitaka shkruan poezi dashurie, ndjesi personale, që nuk do t’i pëlqenin zyrtarëve të regjimit, të cilët artin dhe poezinë i shihnin vetëm si mjete për “edukimin” stalinist të brezave. Të shkruash për dashurinë, sipas këtyre zyrtarëve, tregon se je duke shkruar për vete. Të shkruash për vete, gjithnjë sipas versionit zyrtar, i bie që je duke e vlerësuar veten më shumë se sa Partinë-Shtet. Andaj, një gjë e tillë përbënte sakrilegj të ndëshkueshëm. Segmentet e kudondodhshme të sistemit nuk i lënë mundësi kundërshtuesit që ta bëjë edhe reagimin e tretë. Nuk e lënë që t’i jap zë revoltës së tij. Të flas hapur, guximshëm e publikisht. Ata e burgosin, e dënojnë në bazë të akuzave të montuara (tipike për regjim totalitar) dhe e pushkatojnë në një natë të zakonshme. Kundërshtuesi në një regjim të egër totalitar pëson qysh në hapat e tij të parë. Revolta dhe disidenca e tij publike mbesin të parealizuara. Një fat i ligë dhe një përshkrim i bukur i krajatës së poetit të ri, që nuk dëshiron të bëhet pjesë e ingranazhit të sistemit.

Diktatura nuk ndalet me kaq. Nuk i mjafton vetëm vrasja e Bekimi t, por vazhdon edhe me torturimin edhe të familjarëve të tij. Gruan e tij të re, Netën, e detyrojnë ta braktis djalin e tyre, Vegimin, në emër të asaj se “nuk bën ta rritesh një fëmijë të armikut të popullit”. Neta i vuan pasojat e këtij vendimi “të drejtë” të organeve drejtuese të sistemit. Ajo nuk mund ta shoh djalin e saj për katërdhjetë vite më radhë. Çasti i rinjohjes së tyre është epik e tragjik, një klimaks narrativ në këtë roman, ndërsa tejet emocionues për lexuesin. Thënë të drejtën, nuk është se kalova i papërfshirë nga ndjesia e përjetimit të kësaj situate të rrëfimit, gjithnjë duke e pasur parasysh relacionin e rrëfimit fiksional me të mundshmen, të njëmendtën, realitetin jashtëletrar. Neta nuk mund të gjente paqe me veten, me fatin e saj tragjik, edhe para edhe pas njohjes me të birin. Ajo kishte vendosur të kujdesej vetëm për pëllumbat e saj, si njëlloj psikoterapie për kapërcimin e zgripit emocional.

Vegimi është personazh mjaft interesant i romanit. Ai, për dallim prej të atit, arrinë ta përmbush qëllimin e tij. Vegimi e ka vetëm një mision. T’i gjejë eshtrat e të atit dhe t’i varros në varrezat e fshatit të tij. I ati ishte pushkatuar dhe nuk dihej se në ç’gropë ishte degdisur korpi i tij. Në odisejadën e kërkimit Vegimi ngjanë në një Telamak homerian, që e kërkon të atin t’ia kthejë nderin në vend. Gjetja e eshtrave për të është sikurse ta gjente të gjallë babanë e tij. Në rrugëtimin e tij kërkues, Vegimi përballët me eksponentët e tranzicionit postkomunist, të cilët kishin ndërruar vetëm uniformë e ngjyrë, por jo edhe mendësi. Vegimi nuk e kishte parë asnjëherë të atin, për shkak se ky i fundit ishte pushkatuar gjersa i biri i tij ishte foshnjë. Andaj, takimin e tij të parë dhe të fundit ai e ka me eshtrat e tij. Një përmbyllje më shumë se mbresëlënëse. Një përfundim i fuqishëm në planin ideor e tematik.

“Pëllumbat i vrasin natën”, me rrëfimin e tij paralel për tri jetë të përmbysura, tri viktima të regjimit enverist, na jep një atmosferë rrëqethëse për Shqipërinë e marrë peng nga “demoni i kuq”. Mjeshtëria e autorit është që tërë këtë atmosferë të tillë na jep me një ton të ftohtë, madje me humor në shumë situata të rrëfimit, gjë që e bën këtë roman të marrë ngjyresa tragjikomike.