Mjetet e blinduara ushtarake largohen nga kufiri me Kosovën

Mjetet e blinduara ushtarake largohen nga kufiri me Kosovën

Automjetet e blinduara të ushtrisë serbe janë larguar të mërkurën nga kufiri me Kosovën, përcjell Insajderi.com.

Dy prej mjeteve ushtarake të blinduara “Lazar” dhe “Milosh” kishin qenë të stacionuara në Rashkë nga e hëna, dy kilometra larg kufirit në Jarinje, raporton N1.info.

Aeroplanët ushtarak serbë duke fluturuar mbi Jarinje

Këto mjete ishin stacionuar afër rrugës, teksa ministri i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, në disa raste deklaroi se ushtria ka rritur gatishmërinë luftarake.

Lëvizjet e aeroplanëve ushtarak serbë janë bërë gjatë disa ditëve për shkak të tensionimit të situatës në Veri të Kosovës.

Ndryshe, që nga 20 shtatori, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vendos masën e reciprocitetit ndaj Serbisë me tabelat e veturave.

Sipas kësaj mase, veturat që hyjnë nga Serbia, duhet që t’i zëvendësojnë targat e veturave me ato të Kosovës, të cilat janë të përkoshme e që zgjasin 60 ditë.

Të pakënaqur për këtë, serbët që jetojnë afër pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, që nga dita e parë e reciprocitetit kanë bllokuar rrugët duke mos lejuar kështu të qarkullojë asnjë veturë.

Për të mbikëqyrur situatën, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në këto pika kufitare.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka zhvilluar një takim në Bruksel, ku së pari është takuar me Emisarin Special për Dialog të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, dhe më pas me homologun e tij serb, Petar Petkoviq./Insajderi.com