Muajt e ardhshëm si vendimtar për marrëveshjen Kosovë-Serbi po i vlerëson përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.
Në një adresim para ambasadorëve të vendeve të BE-së, ajo ka thënë se në muajt e ardhshëm ka mundësi reale për një marrëveshje finale mes dy vendeve.
“Unë besoj se ka një shans të vërtetë që Thaçi dhe Vuçiq të arrijnë marrëveshje për problemet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kjo marrëveshje do të ishte ligjërisht e detyrueshme dhe në përputhje me mekanizmat ndërkombëtarë, duke stabilizuar gjithë rajonin”, ka thënë Mogherini, transmeton Insajderi.com
Shefja e diplomacisë së BE-së vlerësoi se puna në Ballkan do të vazhdojë me intensitet edhe më të lartë, se që ka qenë deri tash.
“Mos të luajmë me datat. Besoj se është koha që t’i japin fund konfliktit. Viti i kaluar ka qenë tepër intensiv, por muajt e ardhshëm do të jenë edhe më vendimtar”, ka deklaruar tutje Mogherini.
Për të diskutuar në lidhje me marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, më 7 shtator në Bruksel do të takohen përsëri Thaçi dhe Vuçiq. /Insajderi.com