Mbi 12 mijë komente e kanë vërshuar statusin e fundit të shefes së BE-së, Federica Mogherinit, në Facebook, në lidhje me ditën e të drejtave të njeriut.
Cili është koncepti i të drejtave të njeriut, ishte një nga mijëra pyetjet që iu bënë Mogherinit në statusin e saj.
“Në këtë ditë, 70 vjet më parë, shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, u bashkuan për ta adaptuar Deklaratën e të Drejtave Universale për të Drejtat e Njeriut’’, kishte shkruar Mogherini.
Shqiptarët i janë kundërpërgjigjur menjëherë Mogherinit me komente pothuajse identike: “Ku janë të drejtat e njeriut për Kosovën?”.
Këtij vargu komentesh i është bashkangjitur edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Madje, qytetarët thonë se reagimi i tyre ishte i qëlluar, pasi që Mogherini nuk është paraqitur neutrale në raport me kosovarët.
Gëzim Qerimi, njohës i çështjeve të BE-së, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka pasur arsye për t’ua ndaluar kosovarëve lëvizjen e lirë, pasi që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara, raporton KTV.
Qerimi thotë se reagimi i qytetarëve është një presion pozitiv publik dhe ka ardhur si rezultat i frustrimit të qytetarëve kundrejt padrejtësive të BE-së.
E, Mogherini i është përgjigjur vetëm njërit nga mbi 12 mijë komenteve.
“E kuptoj shqetësimin tuaj. Duket se jam keqkuptuar lidhur me deklarimet e fundit mbi çështjet e Kosovës lidhur me rritjen e taksave dhe krijimin e ushtrisë. Kurrë nuk kam qenë e përfshirë në marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë. Të gjitha qëndrimet e mia kanë për qëllim t’i shërbejnë paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka thënë Mogherini.