Molliqaj kritikon vendimin e LDK-së për presidentin: Do t’iu mbajmë përgjegjës

Molliqaj kritikon vendimin e LDK-së për presidentin: Do t’iu mbajmë përgjegjës

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka kritikuar vendimin e marrë nga Lidhja Demokratike e Kosovës për të qëndruar në seancë kur Vjosa Osmani të votohet për presidente, njofton Insajderi.

Molliqaj tha se LDK-ja do të jetë përgjegjëse për pasojat që do të prodhojë pushteti.

Këtë deklaratë Molliqaj e dha me anë të një postimi në Facebook, ku shtoi se askush nuk mund të shfajsohet “nesër” për pasojat.

Lumiri ‘krejt dhe drejt’. LDK paska vendosur, të gjithë në rresht për Vjosa Osmanin presidente. Kjo na qenka tradita e LDK-së – institucionalizmi. Epo, nuk është e vërtetë. LDK e mban veten si subjekt i ngjarjeve që prodhoi rrëzimi i monizmit. Thotë se është sinonim e simbol i pluralizmit demokratik. Nëse është kështu, veprimi i tyre për ta mundësuar presidentin “Krejt dhe Drejt” është vulosje e qeverisjes centraliste, ku të gjitha institucionet qojnë në një adresë, tek lideri suprem. Ky veprim po e instalon praktikën e byrosë politike të dikurshme, nën formën e demokracisë parlamentare”, ka shkruar ai.

“Për më tepër, LDK duhet ta dijë se do ta mbajmë përgjegjëse për pasojat që do të prodhojë ky koncentrim pushteti. Me shembuj nga historia i dimë bolshevikët, me shembuj nga aktualiteti po i shohim popullistët. Askush s’mund të shfajësohet nesër për pasojat. Këtu jemi dhe po ju shohim. Ky është oportunizëm elektoral i llogaritur keq. Keq sepse ju prapëseprapë nuk po e ngritni një valë, qoftë edhe populliste. Thjesht jeni bërë konfirmues të tjetrit”.

“Veprimi juaj është strukje. Strukje sepse keni pranuar instancë gjykimi jashtë vullnetit tuaj. Është mizore kjo instancë, sa më shumë dëshmohesh, me fajtor do të ndjeheni”, thuhet në shkrimin e Molliqajt. /Insajderi.com