Molliqaj: Osmani s’lë rast pa shmangur qëllimisht UÇK-në

Molliqaj: Osmani s’lë rast pa shmangur qëllimisht UÇK-në

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk është në nivelin e detyrës unifikuese të shefit të shtetit, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Molliqaj ka thënë se Osmani nuk lë rast pa e shmangur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që sipas tij presidentja po e lë qëllimisht në harresë UÇK-në.

“Vjosa Osmani nuk është në nivelin e detyrës unifikuese të presidentit. Kjo jo vetëm për rolin e saj përçarës politik në të tashmen. Ajo po i rikthen problemet e të shkuarës. Mezi ishte arritur një pajtim tejpartiak që kur flasim për luftën flasim në radhë të parë për UÇK-në. Ajo nuk lë rast pa e shmangur, pa e munguar UÇK-në. Kur UÇK-ja është në akuzë, ajo ka zgjedhur shmangjen, harresën e qëllimshme. Roli i saj revizionist karshi ngjarjes UÇK i shkon fort për shtati liliputëve si Kurti që i flasin tërë jetën historisë, vetëm për t’u bërë vëzhgues i saj në momentin kyq, kur ndalet koha dhe hapet fusha”, ka shkruar ai.

Po ashtu, Molliqaj tha se Osmani është duke e dëmtuar idenë e lirisë duke e reduktuar atë, sipas tij, “me ideologji viktimizuese”.

“Asnjë nga njerëzit e UÇK-së nuk udhëheq me vendin sot. Disa janë në Hagë, me gjasë edhe shumë të tjerë do të shkojnë. Tash që ata s’janë pengesë, është historia e UÇK-së pengesë. Vjosa Osmani e dëmton idenë e lirisë kur historinë e luftës e redukton në ideologji viktimizuese, sado dhimbje që kemi për viktimat secili prej nesh”, ka shkruar më tej ai. /Insajderi.com