Molliqaj pas publikimit të aktakuzës së Aliut: A do ta shkarkojë Kurti tash?

Molliqaj pas publikimit të aktakuzës së Aliut: A do ta shkarkojë Kurti tash?

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka pyetur nëse kryeministri i zgjedhur i Kosovës, Albin Kurti do ta shkarkojë nga detyra ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliun, pas publikimit të aktakuzës së këtij të fundit për korrupsion, përcjell Insajderi.

Molliqaj ka thënë në emisionin ‘Pressing’ në T7, se e sheh si problematike edhe reagimin që ka bërë gjatë ditës Aliu, ku ka thënë se nuk është i informuar zyrtarisht për këtë aktakuzë dhe se do të kërkojë përgjegjësi nga Prokuroria.

“Sot ka dalë në lajme një aktakuzë për Liburn Aliun për keqpërdorim. A do ta shkarkojë Liburn Aliun? Kjo nuk është çështje se a është i korruptuar ai. Një person që është i akuzum për privatizime të Kosovës. Ka aktakuzë zyrtare. Shpjegimi ka me kanë problematik. Po ia bajnë me qëllim, po ia bajnë me e rrëzu. Deklarata e Aliut është problematike: Do kërkoj përgjegjësi nga pozita e ministrit”, ka deklaruar ai.

Tutje, Molliqaj ka folur edhe për ministrin e emëruar të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Sipas tij, Vitia është instrument i Albin Kurtit.

“A e din që ai aty është vetëm për të bërë PR për disa muaj deri të vijnë zgjedhjet lokale, sepse Vitia do të kandidojë për kryetar të Prishtinës, po nga ministria do të tentojë të rrisë disa vota”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka thënë se Vitia e dëgjon Kurtin për çdo vendim.

“Nëse Kurti i thotë mos jep dorëheqje, ai nuk jep, pasi që është instrument i Kurtit. Është instrument i Kurtit, s’ka kokërr guximi”, ka thënë Molliqaj./Insajderi.com