Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar për suspendimin e zyrtarit policor, Amir Hoxha, sipas të cilit, shkas për këtë ishte shprehja e pakënaqësisë në llogarinë e tij në Facebook për mospagesën e shujtave për policët.
Në një postim në Facebook, Molliqaj i ka bërë thirrje Sindikatës së Policisë së Kosovës që “të zgjohet”, teksa ka thënë se “Përjashtimi nga puna tregon natyrën e pushtetit totalitar”.
I pari i PSD-së me këtë rast ka fajësuar Qeverinë Kurti, duke thënë se nuk ka profesion më të keqpërdorur nga kjo e fundit se sa ai i policit.
“Kushtet e punës, pa sigurim shëndetësor e me orar e terren të vështirë pune, ditë e natë, policin e dobësojnë. Mbajtja nën kushte minimale është shfrytëzim. Sindikata e policisë duhet të zgjohet”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
Mes tjerash, ka thënë se polici Amir Hoxha është larguar nga puna sepse “theu rendin që ia kërkonte heshtjen dhe nënshtrimin”.
“Me përjashtimin e tij u sulmua e drejta demokratike e fjalës dhe e drejta për punë. Por shembujve për disiplinim që po na jep pushteti duhet t’i përgjigjemi me mësime që jep organizimi sindikal”./Insajderi.com