Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, pas lirimit nga mbajtja në arrest, i ftuar në një emision televiziv ka treguar për bisedën që ka zhvilluar me zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin kur është arrestuar.
Ai insiston se është arrestuar pa fletë-arrest, ndërsa shton se edhe vetë zyrtarët policorë ia kanë konfirmuar se “nuk kemi dokument për arrestim”.
“Unë kam qenë i bindur se ai arrestim është i paligjshëm duke e njohur mjaftueshëm procedurën e Kodit Penal për këtë çështje”, tha Molliqaj të enjten mbrëma në T7.
“E njëjta ka ndodhur edhe kur më kanë dërguar në stacionin policor. U kam thënë para se me filluar çdo lloj hetimi, ju lutem më paraqitni dokumentin mbi të cilin më keni arrestuar. Policët më kanë thënë se nuk kemi dokument dhe ka filluar një panik i policisë brenda”.
Dardan Molliqaj u arrestua të martën e 1 janarit për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” kur goditi zyrtarin policor gjatë protestës të së shtunës kundër shtrenjtimit të rrymës.
I njëjti të enjten mbrëma është liruar dhe ndaj tij Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraqitjes në stacion policor./SHQIP.com