Momenti kur ‘Llapota’ dhe shoqëruesit e tij largohen nga “Duplexi” –  Vendi ku mbetën të plagosur 4 persona

Momenti kur ‘Llapota’ dhe shoqëruesit e tij largohen nga “Duplexi” –  Vendi ku mbetën të plagosur 4 persona

Katër persona mbetën të plagosur orët e hershme të së shtunës pranë dyerve të klubit të natës “Duplex”.

Të plagosurit ishin sigurimi i këtij klubi të natës, ndërsa ai që shtiu mbi ta dyshohet të jetë Astrit Mehmeti dhe dy shoqëruesit e tij Kushtrim Krasniqi dhe Andi Pajaziti.

Pamjet e kësaj përleshje janë publikuar sot të plota. Aty shihet se si ka ndodhur e gjithë përleshja.

Fillimisht shihet se i dyshuari Astrit Mehmeti me shoqëruesit e tij, njëherë janë fjalosur me sigurimin. Pas disa sekondash që ata shtyhen ndërmjet vete, i dyshuari Mehmeti, me revole gjuan drejt këmbëve të sigurimit. Pastaj njërit nga ta, Mehmeti, i afrohet edhe e godet me shqelma dhe grushte. Pas kësaj, afrohen edhe të tjerët të cilët shtyhen mes vete.

Pas kësaj edhe sigurimi nxjerr revolet dhe fillon të gjuaj në drejtim të tyre. Ata shihen duke vrapuar drejt makinave që ishin të parkuara në parkingun e Pallatit të Rinisë.

Siç dëshmon një video ekskluzive e siguruar nga Insajderi, në momentin që ka ndodhë përleshja,  grupi i Astrit Mehmetit dhe rojet e sigurimit të “Duplex” janë gjuajtur me armë zjarri në hyrje të klubit të natës. Brenda disa sekondave janë dëgjuar të krisura armësh, të cilat kanë krijuar panik tek qytetarët e pranishëm.

Përleshjen me armë mes dy grupeve e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Në një përgjigje për Insajderin, zyrtari i Policisë për Informim, Bajram Krasniqi, ka bërë të ditur se katër persona kanë mbetur të lënduar nga gjuajtjet me armë./ Insajderi.com