Momenti kur një mjet shpërthen derisa gazetarja po raportonte live nga veriu

Momenti kur një mjet shpërthen derisa gazetarja po raportonte live nga veriu

Gazetarët kosovarë të cilët po qëndrojnë në veri të vendit për të përcjellë nga afër zhvillimet atje, janë sulmuar nga serbët lokalë.

Në media është publikuar një video ku shihet se derisa një gazetare e televizionit Kanal 10 ishte duke raportuar, në afërsi të saj është hedhur një mjet shpërthyes.

Për sulmet ndaj gazetarëve ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Sipas tyre, janë sulmuar gazetarë shqiptarë dhe serbë në veri.

“Sipas raporteve, janë sulmuar disa gazetarë të mediave të ndryshme shqiptare në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut dhe një tjetër incident ka ndodhur rrugës për në Leposaviq ku protestuesit kanë ndjekur nga pas veturat me gazetarë”.

“Ndërkohë, sulme dhe presione ka pasur edhe ndaj gazetarëve të portalit lokal “Kossev”, nga protestuesit. Si pasojë, redaksia i ka tërhequr ekipet e saj nga terreni”.

“AGK-ja fton Policinë e Kosovës që të ofrojë siguri për gazetarët që të kryejnë punën e tyre në formë të papenguar”.

Mëngjesin e së mërkurës, Policia e Kosovës nisi një aksion në nivel vendi kundër kontrabandës së mallrave.

Aksioni kishte përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut.

“Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Por, jo të gjithë ishin të bindur ndaj organeve të rendit.

Serbët lokalë në Mitrovicën e Veriut bllokuan rrugët, madje u përplasën edhe me policinë.

Veriu i Kosovës

Sipas raportimeve të portalit në gjuhën serbe “Kosovo-online” policia kishte hedhur gazlotsjellës mbi protestuesit.

Gjithashtu është raportuar edhe për shpërthime që tensionuan situatën në Veriun e Kosovës./Insajderi.com