Momenti kur aktivistët e VV-së kërcënohen nga një i pranishëm në aksionin tek ‘Abi Çarshia’

Momenti kur aktivistët e VV-së kërcënohen nga një i pranishëm në aksionin tek ‘Abi Çarshia’

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rinor Kadriqeli, Rigon Kadriqeli, Muhamet Kadriqeli, Hysen Pllava dhe Mimoza Bushrani janë sulmuar fizikisht nga turma që ndodheshin në këtë objekt, me urdhër të njërit nga të pranishmit në aksionin e rrëzimit të një pjese të objektit ‘Abi Çarshia’.

Sulmi ka ndodhur sot rreth orës 16:30 gjatë kohës së ekzekutimit të urdhërit për rrënimin e një pjese të objektit ‘Abi Çarshia.

Në një video të publikuar në Facebook shihet teksa njëri nga të pranishmit jep urdhër për t’i sulmuar 5 personat në fjalë, që sipas tij e kishin provokuar.

“Këqyrni qata 5 veta, qata e kanë thy, qata i kanë shti me e thy”, bënte thirrje shefi i ‘Abi Çarshia’, teksa bënte me gisht kah aktivistët e VV-së.

 

Aktivistët e VV-së kanë përfunduar në spital si pasojë e lëndimeve që morrën nga ky sulm.

Sipas reagimit të Lëvizjes Vetëvendosjes aktivistët ndodheshin rastësisht aty për t’u furnizuar me gjësende shtëpiake.

“Sot rreth orës 16:30, gjatë kohës së ekzekutimit të urdhërit për rrënim të pjesës së objektit të paligjshëm të kompleksit “ABI Çarshia” nga Drejtoria e Inspektoriateve e Komunës së Prizrenit, janë sulmuar dhunshëm fizikisht aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Rinor Kadriqeli, Rigon Kadriqeli, Muhamet Kadriqeli, Hysen Pllava dhe Mimoza Bushrani të cilët ndodheshin rastësisht aty për t’u furnizuar me gjësende shtëpiake. Sulmi është bërë nga turma që ndodhej aty me urdhër të drejtuesve të Abi Çarshisë, më konkretisht nga personi i quajtur Erman Fusha. Si rezultat i këtij sulmi, aktivistët janë lënduar rëndë dhe kanë përfunduar në trajtim mjekësor në Spitalin Regjional të Prizrenit. Poashtu, gjatë këtij sulmi janë lënduar edhe tre policë të Kosovës”, thuhet në reagim.

LVV ka kërkuar nga organet e rendit që të marrin masa drejtë zbardhjes së rastit.

“Lëvizja Vetëvendosje në Prizren dënon ashpër aktet e dhunshme dhe sulmin ndaj aktivistëve dhe qytetarëve të pafajshëm, dhe kërkon nga organet e rendit që të marrin masa të menjëherëshme për ndëshkimin e personave të përfshirë në këtë sulm. Poashtu kërkojmë nga aktivistët tanë, për shkaqe sigurie, që të qëndrojnë larg këtij kompleksi deri në zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet tutje në reagim.